Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të vizitojë këtë të martë në Izrael me qëllim që të ringjallë bisedimet e armëpushimit në Gaza pas vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Ofensiva e tij diplomatike do të vazhdojë nesër në Jordani dhe Katar, si pjesë e një udhëtimi njëjavor në rajon. Blinken do të përqendrojë diskutimet se si t’i jepet fund luftës, planet për Gazën pas përfundimit të luftimeve dhe si të përmirësohet ndihma humanitare, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Blinken dhe sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin u shkruan zyrtarëve izraelitë javën e kaluar duke kërkuar masa konkrete për të adresuar situatën në Gaza ose për t’u përballur me kufizime të mundshme në ndihmën ushtarake të SHBA.
Sekretari i Shtetit do të diskutojë gjithashtu se si të sigurojë një zgjidhje diplomatike për konfliktin me Hezbollahun dhe izraelitët prisnin përgjigjen ndaj sulmit raketor të Iranit më 1 tetor, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.
Top Channel