Kultivonin lëndë narkotike me qëllim shitjen, katër të arrestuar në Shkodër, mes tyre edhe ‘koka’ e grupit

21/10/2024 12:31

Katër persona janë arrestuar këtë të hënë në Shkodër, për kultivim kanabisi me qëllim shitjen.

Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit funksiononin si grup, ndërsa theksohet se në pranga ka rënë edhe ‘koka’ e grupit. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 4 celularët e tyre.

“Shkodër/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Rrethinat”.

Të implikuar si grup, në kultivim, prodhim dhe shitje në doza të Cannabisit, arrestohen në flagrancë 4 shtetas (mes tyre, organizatori i grupit).

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 4 celularët e tyre.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Rrethinat”. Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me vete dhe në automjet, shtetasit N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B. B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të katërt banues në Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas, në formën e grupit të organizuar nga 43-vjeçari, ishin të implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së Cannabisit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi N. L. pastron paratë/produktet e përfituara nga këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshm.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA