Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka thirrur në bisedë ambasadorin rus në Seul për të protestuar për atë që ka thënë se është dislokim i trupave të Koresë së Veriut në Rusi, për t’i dërguar më pas në Ukrainë, duke u zotuar për një përgjigje të përbashkët ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong-kyun, thirri në takim Georgy Zinoviev, të dërguarin rus në Seul, dhe i kërkoi tërheqjen e menjëhershme të ushtarëve të Koresë së Veriut nga Rusia, njoftoi ministria.
Kim tha se pjesëmarrja e trupave të Koresë së Jugut në luftën në Ukrainë përbën shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së OKB-së. Po ashtu, sipas Kimit, kjo përbën edhe kërcënim serioz për sigurinë e Koresë së Jugut dhe shteteve të tjera.
“Ne dënojmë fuqishëm bashkëpunimin ilegal ushtarak të Koresë së Veriut, përfshirë dislokimin e trupave në Rusi”, citohet të ketë thënë Kim, sipas Ministrisë së Jashtme.
“Ne do të përgjigjemi së bashku me komunitetin ndërkombëtar duke mobilizuar të gjitha mjetet që kemi kundër akteve që kërcënojnë interesat tona kyçe të sigurisë”.
Ministria tha se Zinoviev i tha Kimit se do t’ia dërgojë këtë mesazh Moskës.
Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut javën e kaluar tha se Koreja e Veriut ka dërguar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale në Lindjen e Largët të Rusisë për trajnime në një bazë lokale ushtarake dhe me gjasë ata do të dislokohen për luftime në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Phenianin se po përgatitet të dërgojë 10.000 ushtarë në Rusi dhe të dielën bëri thirrje për reagim të fortë nga shtetet që e kanë pranuar përfshirjen në rritje të Koresë së Veriut në pushtimin rus të Ukrainës.
Këshilli për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk ka konfirmuar raportimet se ushtarët e Koresë së Veriut po luftojnë për Rusinë, thanë zyrtarët amerikanë javën e kaluar, por shtuan se nëse këto raportime dalin të jenë të vërteta, “kjo do të shënonte një zhvillim të rrezikshëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, po ashtu javën e kaluar thanë se aktualisht nuk kanë dëshmi për praninë e Phenianit.
Ministria e Mbrojtjes e Seulit tha të hënën se Koreja e Jugut është konsultuar me Uashingtonin para se agjencia e spiunazhit të bënte njoftimin.
Si Rusia, ashtu edhe Koreja e Veriut kanë mohuar se dërgojnë armë te njëra-tjetra, por janë zotuar për forcimin e raporteve ushtarake, teksa në qershor kanë nënshkruar një traktat të përbashkët të mbrojtjes.
Kremlini po ashtu ka mohuar vlerësimin e Koresë së Jugut se Veriu ka dërguar personel ushtarak për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Top Channel