Ish-deputeti Jurgis Çyrbja i raportonte “të fortit” të Shijakut, Altin Hajrit për aksionet e organizuara të policisë në zonën e Durrësit, që ai t’i shpëtonte drejtësisë.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.
Altin Hajri është emër i njohur për drejtësinë, pasi dyshohet se mori pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.
Mësohet se Altin Hajri është një nga dy pronarët e kompleksit “Golden”, ndërsa vëllai tjetër Emiljano Hajri është i arrestuar.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e referimit të bërë më datë 15.10.2024 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të njëjtën datë, ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 93 të vitit 2023 dhe regjistrimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, si dhe vijimin e hetimeve për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kryer më tepër se një herë, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
ii. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” kryer nga shtetasi J. Ç. më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
iii. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer nga shtetasi J. Ç., më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 302/1/2 të Kodit Penal.
iv. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J.Ç., dhe A. M., parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
v. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J. Ç., dhe A.M., parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
vi. “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi J. Ç. parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, si dhe
vii. “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi A. H. parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Për interesa të këtij procedimi penal, ndër provat e tjera, janë administruar edhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike në fushën penale dhe ka rezultuar se personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.
Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror, i është transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, personi nën hetim J.Ç., është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim, si drejtëpërdrejtë prej tij, ashtu edhe përmes angazhimit të personit tjetër nën hetim A.M., me qëllim për të mundësuar njoftimi i personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Informacionin që personat nën hetim J. Ç., dhe A. M., u kanë transmetuar personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar ka shërbyer si një e dhënë e rëndësishme që këta persona të qëndronin të fshehur me qëllim që t’i shpëtonin kapjes apo arrestimit të mundshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke konsumuar elementët e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal për 3 (tre) persona në hetim dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 126, datë 20.10.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ky vendim është vënë në ekzekutim nga ana e Prokurorisë së Posaçme po më datë 20.10.2024, dhe ka angazhuar strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku më datë 20.10.2024, është bërë e mundur prej tyre që të ekzekutohen masat e sigurimi personal vetëm për dy personat nën hetim J. Ç., dhe A. M., por nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal të caktuar nga gjykata ndaj personit tjetër nën hetim A. H., i cili ka qenë i shpallur person në kërkim që në muajin Janar të vitit 2020, në kuadër të procedimit penal me Nr. 62, të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme, për kryerjen e veprave “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim, “Trafikim i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës” të parashikuara nga nenet 109, 283/a, 278/1, 303 dhe 25 të Kodit Penal.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 3 (tre) vendimet e gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
1. Pesë telefona celularë;
2. Një hard disk i jashtëm Verbatim;
3. Një pajisje regjistrimi në formë pakete;
4. Shuma monetare prej 1,100 (njëmijë e njëqind) euro;
5. Dokumente pronësie, etj;
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Gjejmë rastin që të falënderojmë për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal; Europol, Eurojust dhe autoritetet franceze të drejtësisë.
Një falënderim i veçantë i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin e frytshëm në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit si dhe kryerjes së kontrolleve.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja ra në pranga në Shijak mbrëmjen e një dite më parë i akuzuar për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha gjatë edicionit kryesor informativ tha se burime shumë të sigurta konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.
Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.
Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.
Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.
I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.
Top Channel