Operacionet e Izraelit në Liban, Franca ndalon pjesëmarrjen e firmave izraelite në panairin e marinës ushtarake në Paris

20/10/2024 22:27

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha të dielën se kishte urdhëruar dikasterin e tij që të fillonte procedurat ligjore kundër Presidentit francez, Emmanuel Macron, pasi Parisi i ndaloi firmat izraelite që të marrin pjesë në panairin e marinës ushtarake.

Vendimi për të ndaluar pjesëmarrjen e firmave izraelite është incidenti i fundit i nxitur nga shqetësimi i qeverisë së Presidentit Macron lidhur me mënyrën se si Izraeli i ka zhvilluar operacionet luftarake në Gazë dhe Liban.

Drejtuesit e panairit “Euronaval”, që zhvillohet në Paris ndërmjet datave 4 dhe 7 nëntor, thanë përmes një deklarate se qeveria franceze e kishte informuar atë se delegacionet izraelite nuk do të lejoheshin të ekspozonin stenda apo pajisje, por mund të merrnin pjesë në panair. Shtatë firma izraelite janë prekur nga vendimi, thuhet në deklaratë.

“Kam udhëzuar Ministrinë e Jashtme që të ndërmarrë veprime ligjore dhe diplomatike kundër vendimit të presidentit francez… për të ndaluar kompanitë izraelite që të ekspozojnë produktet e tyre në panairin @SalonEuronaval në Paris muajin e ardhshëm”, shkroi zoti Katz në rrjetin social X.

“Bojkoti i kompanive izraelite për herë të dytë, ose vendosja e kushteve të papranueshme, janë masa jodemokratike që nuk janë të pranueshme midis vendeve mike. Unë i bëj thirrje Presidentit Macron që t’i anulojë ato plotësisht”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA