Vaksina kundër brucelozës për kafshët e imta është blerë, por ende nuk është aplikuar në kafshë duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e kafshëve dhe të fermerit.
Në një shkresë zyrtare që Top Channel i ka dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëse vaksina është vënë në dispozicion të veterinerëve dhe sa kafshë janë vaksinuar kundër kësaj sëmundje tek bagëtitë e imta. Përgjigja që kemi marrë është se vaksina është blerë, por që ende nuk është aplikuar në fermat tona.
Përgjigja e Ministrisë së Bujqësisë
“Procesi I tenderimit dhe regjistrimit të vaksinës ka përfunduar. Është siguruar vaksina për fillimin e vaksinimit të kafshëve. Situata epizootike bazuar në survejanca pasive të kryera është nën kontroll. “
Të rrezikuar nga bruceloza jemi të gjithë ne që konsumojmë bulmetin dhe mishin e kafshëve të imta të cilat janë të pavaksinuara, e kjo për faj të vetë institucioneve që janë përgjegjëse për shëndetin tonë dhe të kafshëve.
“Ne mund të infektohemi edhe nëpërmjet ushqimeve si qumështi I freskët dhe mishi. Nga qumështi infektohemi edhe nëpërmjet djathit ku përgatitja dhe pastërizimi bëhet sipas metodës tradicionale”, Kapllan Sulaj, ekspert i sigurisë ushqimore.
Në një reagim publik Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk shprehet se përse nuk a filluar vaksinimi, process ky që duhet të niste që në fillim të pranverës tek bagëtia e imët.
Duke anashkaluar arsyet e mosvaksinimit të kafshëve të imta, ministria ndalet tek shifrat e infektimeve në njerëz, ku sipas tyre ky numër ka qenë shumë herë më i lartë seç është tani.
Gjithsej janë 29 persona të infektuar me brucelozë, midis tyre dhe një djalë i mitur nga veriu i Shqipërisë. Ky numër mund të ishte zero nëse vaksina do të blihet dhe aplikohej në kohë.
Top Channel