Meloni nuk “dorëzohet” pas kthimit të 12 emigrantëve në Itali, javën tjetër niset drejt Gjadrit grup i ri: Do marrim masa legjislative!

19/10/2024 11:44

Anijet e Rojes Bregdetare italiane me në bord 12 emigrantët e marrë nga qendra e pritjes së Gjadrit u larguan drejt Barit, por ky nuk është fundi i diskutimeve mbi fatin e nismës së shumëlëvduar të qeverisë iraliane, përkundrazi. Të premten, Gjykata e Romës shfuqizoi urdhrat për mbajtjen e këtyre emigrantëve në qendrën e pritjes në Shqipëri dhe tha se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.

“Refuzimi për të vërtetuar mbajtjen në strukturat dhe zonat shqiptare… ndodh për shkak të pamundësisë për të njohur shtetin e origjinës të personave të ndaluar si shtet të sigurte”, tha kryetarja e gjykatës Luciana Sangiovanni, duke shtuar se emigrantët “kanë të drejtë të sillen në Itali”. Por autoritetet italiane e bënë të qartë menjëherë se do të ankohen ndaj vendimit.

Kryeministrja Giorgia Meloni nuk tërhiqet, e mediat vendase thonë se javën që vjen, do të nisë një grup tjetër emigrantësh drejt Shqipërisë.  Ministri italian i drejtësisë, Carlo Nordio u shpreh se “ kjo është çështje që i takon politikës dhe nuk është përgjegjësi e magjistratëve”.

“Reagimi i politikës nuk ka qenë kundër drejtësisë, por kundër vendimi me të cilin nuk jemi dakord e madje e konsiderojmë jonormal”, theksoi ministri duke folur me gazetarët në margjinat e një konference në Palermo.

“Nuk mund të jetë drejtësia, shtoi ai, që e përkufizon nëse një shtet është më pak apo më shumë i sigurtë,  është një vendim shumë i lartë politik.

Ne do të marrim masa legjislative”, deklaroi ai. Në fillim të kësaj jave, në përgjithësi 16 emigrantë, që u shpëtuan në Mesdhe, u dërguan në Shqipëri përmes një anijeje të marinës italiane, duke u bërë grupi i parë i njerëzve që u strehuan në qendrën e re në Gjadër, pas marrëveshjes së vitit të kaluar mes dy vendeve. Katër prej tyre u kthyen në Itali ditë më parë, për shkaqe shëndetësore, apo për shkak se ishin të mitur.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA