Nuk ka shumë që ka marrë në dorë frerët e NATO-s, dhe sekretari i përgjithshëm i aleancës Mark Rutte ngriti shqetësimin për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Operacionet e NATO-s në Kosovë, ishin temë diskutimi edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të organizatës. Rutte e theksoi për çdo rast se angazhimi i NATO-s për siguri në Kosovë nuk ndryshon.” Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha Rutte.
Shefi i aleancës më të madhe ushtarake të globit pohoi se janë të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor. “Siguria është njëra anë, kurse ecja përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve është ana tjetër. Këtu ka vite që ngecja e situatës rrit tensionet. Rutte shprehet i vetëdijshëm për këtë. “Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim”, u shpreh ai.
Aleanca Veriatlantike aktualisht ka në Kosovë mbi 4 mijë e 400 trupa të cilat kujdesen për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.Mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi e vuri në pah në Prishtinë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, pas një tryeze diskutimi lidhur me Procesin e Berlinit që zhvilloi punimet gjatë javës ku nënvizoi se “Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse, për momentin nuk ka shumë progres në dialog.
E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara.
Top Channel