Gjatë bisedës së zhvilluar këtë të shtunë në Podcastin e tij, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, u ndalën te hapi pozitiv i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE si dhe zhvillimet e tjera të rëndësishme që vendi jonë ka bërë në disa aspekte.
Kreu i ekzekutivit u ndal edhe te raporti i SIGMA-s, një nga raportet me reputacionin më të mirë në fushën e garantimit të standardeve të mirëqeverisjes, që në rastin konkret i referohet qeverisjes në fushën e prokurimeve publike.
“Ku zhvillohet korrupsioni? Te marrëdhënia individ-shtet ku i pari kërkon nga i dyti një shërbim. Dhe zhvillohej në çdo radhë ku mijëra njerëz çdo ditë futeshin për të marrë një copë letër. Sot kjo gjë bëhet pa kontakt me shtetin, pra shërbimet online”, tha Rama duke theksuar më tej se korrupsioni ishte një fenomen që zhvillohet te paraja.
“Mbi bazën e SIGMA-s, që është syri monitorues i BE-së dhe që nuk i merr të dhënat nga qeveria shqiptare, nuk i beson atyre që i japim ne, por atyre që verifikon vetë dhe që i dorëzon Komisionit Europian, në raportet e veta në rajonin tonë Shqipëria ka vendin e parë si vendi lider në fushën e prokurimeve publike për efikasitet, transparencë dhe mbrojtje të parasë publike.
Ka një sërë treguesish që flasin se çfarë transformimi është bërë në aspektin e hapjes së tregut, operatorëve etj. E them këtë sepse kjo nuk thuhet dhe këtu e gjithë vëmendja përqendrohet te spektakli i gjysmë të vërtetave”, tha Rama.
Ndërkohë ministrja Pirdeni tha se në fushën e prokurimeve Shqipëria është lider rajonal.
“Kjo edhe duke iu referuar dokumentit që Këshilli i BE-së publikoi jo më larg se 3 ditë më parë, ku në fushën e prokurimeve publike Shqipëria nuk ka piketa të ndërmjetme, pra nuk duhet të vërtetojë përgjatë procesit të negociatave që duhet të përmbushë detyrimet. Ka vetëm piketa mbyllëse për ta mbyllur këtë kapitull. Do të thotë që stadi i avancimit të Shqipërisë në këtë fushë është i konsiderueshëm”, tha ministrja Pirdeni.
Top Channel