“Duhej të isha në këmbë për të pritur sulltanin”, Rama flet për ndërhyrjen kirurgjikale: Nevojitej të rrija 3 ditë pushim, por vizita e Erdogan dhe takimi me Orban…

19/10/2024 09:48

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka folur në podcastin e kësaj të shtunë në lidhje me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Teksa bisedonte me të ftuarën e tij, ministren Adea Pirdeni, ai u ndal edhe te ndërhyrja kirurgjikale që bëri pak ditë më parë, duke thënë se në vrullin e zhvillimeve dhe takimeve në prag të takimit për hapjen e grup kapitujve.

Ai tha se edhe pse i duhej që të qëndronte të paktën për tre ditë pushim pas ndërhyrjes, kjo ishte e pamundur pasi një ditë më pas do duhej të mirëpriste presidentin e Turqisë dhe ditën që pasonte të nisej drejt Hungarisë për të takuar Viktor Orban.

“Mu desh të kryej një ndërhyrje kirurgjikale dhe të marr rrugët kundër shkencës, komplet, se duhet të qëndroja të paktën 3 ditë pushim, por ishin 3 ditë komplet të pamundura sepse të nesërmen duhet të rrija në këmbë për të pritur sulltanin, që vinte nga Lindja, pastaj të nesërmen duhet të merrja rrugët në qendrën e ish perandorisë hungareze për të takuar mikun tim Viktor Orban, që është dhe kryeministri i vendit që ka presidencën e BE, për ta falënderuar për gjithçka bëri Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku dhe të uleshim më në fund në atë sofër si të barabartë që të fillonim të bisedonim.

Kjo bëri që nën efektin e disa injeksioneve shumë të forta, që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë për të shmangur dhimbjet, kam shëtitur pas shumë vitesh nëpër ekrane. Unë nuk i ndjek, dihet botërisht që nuk i ndjek debatet televizive, portalet, marr informacione shumë shkurt për informacionet më të rëndësishme, por kam pamundësi fizike që të mund të jem në gjendje për punë po të ndjek atë lemeri.

Por nga çfarë pashë në atë moment, kuptova që është e nevojshme që publiku të informohet sepse ka një mjegull, një keqkuptim, një përzierje llafesh”, u shpreh Rama.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA