Një 70-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Nga hetimet e policisë mësohet se 70-vjeçari Iqmet Skënderi, e ka ngacmuar të miturën 11 vjeçaren në dyqanin e tij në një fshat të thellë të Maliqit.
11-vjeçarja ka shkuar pasditen e djeshme në dyqan për të blerë, ndërsa 70-vjeçari ka qenë i vetëm dhe duke përfituar nga fakti që në dyqan s’ka patur persona të tjerë, e ka tërhequr të miturën duke tentuar ta ulë në prehër.
Sipas deklarimeve të 11-vjeçares, ai e ka prekur dhe ka përdorur fjalë fyese ndaj saj. E mitura ka reaguar duke bërtitur dhe është larguar me vrap nga dyqani i abuzuesit. Ajo ka njoftuar menjëherë prindërit të cilët denoncuan në komisariatin e Maliqit ngjarjen e rëndë.
Pas denoncimit, policia e Maliqit ka arrestuar 70-vjeçarin Iqmet Skënderi mbi të cilin rëndon akuza e “ngacmimit seksual me të mitur”.
Myfit Skënderi, vëllai i autorit tha: “Deri tani s’kam marrë vesh asgjë fare, që dje që erdhi policia thanë që ka ndodhur një mosmarrëveshje nga ora 4. Vëllai jetonte vetëm. Punonte tek dyqani këtu.
Kemi qenë fshatarë dhe e kemi edhe si në fisin tonë babain e vajzës. Unë s’rrija këtu në dyqan. Vëllai për mua është shumë i mirë, s’bën vaki, pyesni të tjerët në fshat. Jo, s’ka patur asnjëherë raste të tilla, ju pyesni në fshat. Ka qenë agronom, mësues, nuk ka dalë asnjëherë ndonjë llaf kështu.”
Alfred Skënderi, kryeplaku i fshatit u shpreh: “Ai njihet për njeri shumë të mirë me 1 mijë përqind nuk e ka bërë këtë pune. Ne nuk dimë gjë, pa folur drejtësia s’mund të flasim në. Ka qenë shumë korrekt, ka shërbyer do me thënë ne nuk na i merr mendja të ketë ndodhur kjo ngjarje.
Ndoshta prindërit mund të kenë pasur konflikte ose lekë borxh. S’ka mundësi, se ai në fakt jep veresie për gjithë fshatin. Nuk hyrje dalje familjet mes tyre, ajo është në maj te fshatit. Iqmeti është beqar jetonte i vetëm, nuk merrej me këto pune.”
Bezat Muçollari, banor i zonës tha: “Ne e njohim prej kohësh, unë banoj në Tirane, ai ka 30 vjet që tregton në atë dyqan, nuk i ka dalë një fjalë. Aty hynë gra, hynë vajza. Ky 70-vjeç sot, mua nuk ma pret mendja. Unë e njoh mire dhe nuk e kam as fis. Ato të tjerat t’i shohë drejtësia. Opinioni për atë burrë ka qenë i mire. Por policia të marri dhe palën tjetër se i ka 100 mijë lekë borxh.”
Top Channel