Shqipëria një hap më afër BE-së/ Nesër në Luksemburg hapen bisedimet për kapitujt e “Themeloreve”

14/10/2024 19:39

Nesër në Luksemburg Shqipëria hedh një hap të madh drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në konferencën e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.

Presidenca hungareze e Bashkimit Europian bëri të ditur se:

“Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor. Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave”.

Kapitujt e themeloreve përfshijnë funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, Kapitullim 23 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Kapitullin 24 për Drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, Kapitujt për Kriteret ekonomike, si prokurimi Prokurimi publik, Statistikat dhe Kontrolli financiar.

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë. Negociatat për Grupkapitullin 1 hapen të parat dhe mbyllen të fundit.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në bashkimin europian në prill të vitit 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidati në qershor 2014 ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare është mbajtur në korrik të vitit 2022.

Në këtë proces Shqipëria u nis së bashku me Maqedoninë e Veriut e cila mbahej peng nga mosmarrëveshjet me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit. Pas zgjidhjes së këtij problemi, Maqedonisë së Veriut i lindi një tjetër problem me bullgarinë, dhe tashme nuk mund të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA