Ish-kryebashkiaku i Pogradecit nën akuzë, SPAK njoftim zyrtar: Lejoi kryerjen e paligjshme të një pallati 14 katësh

14/10/2024 12:27

Ish-kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri është marrë i pandehur sërish nga SPAK dhe ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim me dy punonjës të tjerë të bashkisë së Pogradecit.

Sipas SPAK, rezulton se është dokumentuar fakti penal, se me veprimet dhe mosveprimet e tij, Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri, në qytetin e Pogradecit.

Top Channel e paralajmëroi dje procesin, ndërsa SPAK ka sqaruar sot rrethanat e kësaj akuze të re për ish-kryebashkiakun. Hetimi kishte nisur nga prokuroria e Korçës më parë dhe i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme që shpjegon skemën e shpërdorimit të detyrës. Sipas SPAK, rezulton se në vitin 2009, subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e një pallati me një kat nën tokë dhe 12 mbi tokë.

Në vitin 2014, bashkia Pogradec ia refuzoi zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi, kryetari i ri i bashkisë zgjedhur në 2015, Eduard Kapri, vëllai i ndërtuesit Gëzim Kapri, e rishikon lejen dhe shton edhe katet. Ky ndërtim u lejua në kundërshtim me ligjin e në shkelje të vendimeve të gjykatës duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Për më tepër dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA