Gjykata e Posaçme ka dëgjuar në një seancë katër dëshmitarë në lidhje me të pandehurin Rezart Taçin, i akuzuar për pastrim parash.
Biznesmeni i hidrokarbureve është shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal me të cilin akuzohet se pastroi 18,3 milionë euro të mafias italiane.
Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të Rezart Taçit. Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të dënojë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si pjesë e grupit të Rezart Taçit.
Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove.
Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.
Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Ermal Hamzaj: Kam punuar me Taçin, jam noter, që nga 2013. E njoh, kam punuar në kohën e Armos për 1 vit deri në 1 vit e gjysëm, më pas kemi vijuar bashkëpunimin si noter në disa raste. Më kujtohet prokura, sepse e kam bërë unë prokurën për Françesko Zumon. Ne bëjmë gati prokurën, por më pas e dërgojmë në vendin ku personi ndodhet për të firmosur. Në rastin konkret kam pasur një kërkesë për të bërë një prokurë, e cila do të dërgohej në Itali për t’u firmosur. Kam shkuar brenda ditës në Itali për t’i marrë firmat. Pagesat për udhëtimin drejt Italisë i ka bërë bashkëshortja e Taçit. Më ka pritur një person në aeroport dhe më ka dërguar tek Zumo, për t’i marrë firmën për prokurën. Zumon e kam takuar 5 minuta, sa ka bërë leximin e prokurës e ka firmosur dhe është larguar. Rruga nga aeroporti deri tek vendtakimi ka zgjatur 20 minuta, ai që më priti ishte Fabio Petruzela. Bledar Lilon dhe Artur Ballën i kam pasur koleg dhe i njoh.
Siç raporton Anila Hoxha dëshmitari ka shtuar “Taçi s’më ka telefonuar dhe as kur kam shkuar në Itali, nuk e kam takuar”.
Avokatja: E dini çfarë raporti kishte Rezart Taçi dhe gruaja në atë periudhë?
Ermal Hamzaj: Jo, nuk kam këtë informacion, di që ajo është motra e Lilos.
Denisa Dobi: Taçin e njoh kam pasur marrëdhënie pune. Unë jam me profesion ekonomiste dhe kam punuar në kompaninë e Taçit. Nga 2005 kam qenë e punësuar tek ‘EPC oil’ deri në gusht të 2013-ës. Bledar Lilo di që ishte njeri i afër i Taçit, Balla kishte marrdhënie të jashtme për kompaninë. Ka pasur biseda dhe telefonata me Artur Ballën ka pasur, por që lidheshin me çështje pune. As Balla as Lilo nuk ishin të punësuar në shoqëri. Dy italiantët Petruzela dhe Zumon, s’kam dëgjuar, Fabio Petruzelen e kam dëgjuar se më është kërkuar të bej një rezervim në një hotel në Tiranë, por se mbaj mend sa herë. Që të beja rezervimin ma ka kërkuar që ta bëja Artur Balla. Taçin e kam njohur që në 2005-ën sepse ka qenë shefi im i drejtpërdrejtë. Ne komunikonim vetëm në kuadër të furnitorëve. Unë ndiqja vetëm pjesën ekonomike, për çmimet termat ekonomik që bëheshin. Taçi më kishte thënë që mund të merrja dhe urdhra nga Elton Balliu, për të bërë pagesa. Me Taçin komunikoja me celular, për porosi që kishte. Ermal Hamzaj ka qenë noter, nuk më kujtohet të kem bërë pagesa për udhëtim të tij drejt Italisë në korrik të 2021-shit.
Gjykata: Keni përpiluar ndonjë shkresë në emër të Arben Ahmetajt?
Denisa Dobi: Nuk e mbaj mend, sepse po flasim për 2021-shin.
Gjykata: Ju komunikonit në mënyrë institucionale për punën tuaj.
Denisa Dobi: Jo nuk ishte e shpeshtë një gjë e tillë, ne komunikonim me doganat, me ato na lidhte puna.
Gjykata i jep shkresën dëshmitares për ta parë.
Denisa Dobi: Këtë shkresë e kam shtypur unë, më është kërkuar nga Artur Balla, që të bej një tekst të tillë dhe kujt t’i drejtohem. Unë thjesht e kam shkruar, por përmbajtjen ma ka bërë gati Artur Balla. Nuk më kujtohet cilit person ja kam dërguar.
Avokatja: Në 2021 keni pasur kontakt me Taçin për shtetas italian?
Denisa Dobi: Jo nuk kam pasur kontakt, pasi flisja me Artur Ballën. Nuk kam punuar drejtpërsëdrejti me shoqëri të tjera, por motra e Taçit më pyeste herë pas here për çështje ekonomike, për të qenë në rregull me procedurat, terma financiar tatimore, nuk jam paguar për këtë gjë, e kam bërë për respekt si ish-punonjëse e të vëllait.
SPAK, sipas Anila Hoxhës, ka kryer kundërshtim të pjesshëm për dëshmitë e dëshmitares Denisa Dobi. Prokurori kërkon që të bëhej leximi i akteve.
Denisa Dobi: Pagesat për Fabio Petruzelën i bëja nga fondet e ‘epc oil’ me kërkesë të Rezartit dhe me urdhër të Elton Balliut. Për lëvrim të fondeve ose pagesa duhet të kontaktoja edhe Taçin edhe Balliun. Gjykata e pranon procesverbalin me dëshminë e dhënë para hetuesive.
Emiljano Gjika: E njoh Taçin, unë jam jurist me profesion, në 2021 kam qenë i punësuar në Drejtorin e Përgjithshme të Doganave. Nëse kërkohej konsulencë juridike unë e pranoja, si punë e dytë. Tek dy kullat te bulevardi janë zyrat e Najda Taçit, kam ofruar për të konsulencë nëse kërkonte kam shkuar tek zyrat e saj. Kam pasur marrëdhënie konsulence me shoqërin ‘EPC Oil’, herë më është kërkuar nga Elton Balliu dhe nga persona të tjerë, kam ofruar shërbime konsulence. Këto dy dokumente, janë hartuar nga ana ime, marrëveshje huaje me të cilën do merrej hua kjo shumë eurosh që do përdorej për të blerë naftë. Do merreshin nga kjo kompani që është shënuar këtu, nuk e di kush do e lëshonte huanë. Njëra palë ishte EPC, pala tjetër se di kush ishte, diçka kam dëgjuar për Honkong, por se di më. Shumë nuk më dhanë dokumente kompanie, ishte një ide, mesa më kujtohet.
Dokumenti tjetër, një eskops që kërkoi ai italiani, Fabio Petruzela ishte me Artur Ballën. Ata më sollën dokumenta të gatshme dhe unë i kam punuar sipas kërkesave të tij. Hapa atë protmail, që ishte një “email” i ri, unë se kisha idenë që ekzistonte deri në atë ditë. Petruzela ishte sjellë nga Arturi, ai tjetri jetonte në Milano, nuk kishte prezantim të detajuar, por mesa kuptova ishte ndërmjetës financiar. E kuptova si dikush që kishte para dhe donte të investonte. Nuk jam paguar për dy draftet, e bëra për miqësi. Taçin e kam takuar për herë të parë në prill të 2010-ës, kur kam punuar në ‘armo’, deri në mes të 2013-ës dhe ka vijuar bashkëpunimi për konsulencë deri rreth 2022-shit. Kam ofruar shërbime konsulence edhe për EPC Oil. Konkretisht kam parë kontrata për blerje nafte, nuk di të jetë marrë me gjera të tjera. Të huajt ishin lidhje të Taçit s’mund të ishin te Eltoni, duhet të kesh shumë kontakte, gjëra të cilat Elton Balliu nuk i kishte. Elton Balliun e kam njohur që në Armo, ai ka pasur edhe një kompani, por bënte edhe shoferin, shoqëronte Taçin dhe familjarët e tij, por edhe në çështje pune. Françesko Zumon e kam dëgjuar në televizor, këtë se kam dëgjuar më herët deri kur e pashë në lajme, pra kur kam bërë draftet, se njihja.
Avokatja: Kur keni komunikuar me Taçin?
Emiljano Gjika: Komunikimi i fundit ka qenë në kohën e Covid-19, pasi ju sëmurën prindërit dhe e kam ndihmuar. Ai më mori dhe më falenderoi. Me Taçin s’kam fol për shtetas italian. Të gjitha komunikimet i kam pasur me Ballën, për të bërë dy draftet, s’më ka marrë Taçi.
Top Channel