Ushtria izraelite lëshoi të shtunën urdhra të rinj për palestinezët që ndodhen në pjesën veriore të Rripit të Gazës që të largohen nga shtëpitë apo vendstrehimet ndërsa trupat po kryejnë një ofensivë njëjavore kundër militantëve.
Pjesa më e madhe e luftimeve javën e kaluar u përqendrua brenda dhe përreth Jabaliya-it, i cili u godit nga avionë luftarakë e artileri izraelite. Banorët thanë se kanë mbetur të bllokuar brenda shtëpive e vendstrehimeve të tyre.
Në Liban, autoritetet thanë të premten se 60 persona u vranë dhe 168 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit, çka e rrit numrin total të viktimave në një vit konflikt mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, në 2,229 të vdekur dhe 10,380 të plagosur.
Izraeli e ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër Hezbollahut me një valë sulmesh të rënda ajrore në të gjithë Libanin dhe një operacion tokësor në kufi. Shteti hebre është tashmë në luftë me Hamasin në Gazë dhe me Hezbollahun në Liban.
Si pasojë e ofensivës së Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 42,000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë, të cilët nuk bëjnë një ndarje mes numrit të viktimave civilë dhe luftëtarëve të vrarë. Por ata thonë se gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e viktimave. Lufta ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka zhvendosur disa herë rreth 90% të popullsisë së saj prej 2.3 milionë banorësh.
Ka kaluar një vit që kur militantët e udhëhequr nga Hamasi u futën në pjesën jugore të Izraelit duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Rreth 100 pengje vazhdojnë të jenë brenda Gazës, në duart e grupit militant, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.
Top Channel