I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, përsëriti gjatë vizitës në Prishtinë pakënaqësitë e Washingtonit me veprimet e pakoordinuara të Qeverisë atje, të cilat sikurse tha ai, i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

Zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet në fundin e ndalesës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin përcolla dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.

“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan. Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Kasanof, që pason në këtë detyrë, Gabriel Escobarin. , para ardhjes në Kosovë vizitoi edhe Sarajevën dhe Beogradin. I dërguari amerikan për Ballkanin ishte në Prishtinë ditën kur u bë edhe ndërrimi i komandës së KFOR-it, nga gjenerali i ushtrisë turke gjeneralmajor, Ozkan Ulutash te gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës ishte edhe komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch. Admirali amerikan ishte i qartë në mesazhin e tij në Prishtinë.

“Qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë dialogut, përshkallëzojnë tensionet. Duke vepruar jashtë këtij dialogu, duke vepruar pa përkushtim të vërtetë ndaj tij ose duke u grinder se cfarë duhet të përfshihet apo të përjashtohet nga bisedimet, ato dëmtojnë në mënyrë të panevojshme emrin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë“, tha Munsch.

Qeveria e Kosovës kohët e fundit është kritikuar vazhdimisht nga diplomacia perëndimore për veprime të njëanshme në veri të Kosovës. Qeveria pa koordinim ndërkombëtar, mbylli strukturat paralele serbe në veri, mbylli Postën e Serbisë, ndaloi përdorimin e dinarit dhe kishte synim edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA