Fiks Fare/ VKM-ja u ngre pagat shoferëve të urgjencës, por prej tre muajsh marrin më pak. Drejtoria e QSUT-së: Ulja e pagave ishte një keqkuptim

11/10/2024 21:06

Shoferëve të Urgjencës së Shërbimit Paraspitalor në Spitalin Universal Nënë Tereza  prej tre muajsh u është ulur paga në 27 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë sqaron se VKM- ja e re që ka dalë ua ka rritur pagat, jo ulur.

15 shoferë të Urgjencës Paraspitalore në QSUT u ankuan në Fiks Fare se prej muajit korrik të këtij viti paga e tyre është ulur. Nga 30 mijë lekë në muaj ata kanë marre 27 mijë lekë. Ata kërkojnë të dinë se pse është bërë ky ndryshim i pagës së tyre me ulje  dhe nëse ka ardhur si pasojë e VKM-së së re që ka hyrë në fuqi, atëherë ata duan të dinë se me çfarë statusi kualifikohen.

“Me këtë pagë që marrim prej korrikut e në vazhdim ne jemi barazuar me shoferët e ambulancave që transportojnë të sëmurët nga një spital në tjetrin”, shprehen ata, ndërkohë që tregojnë për Fiksin se punojnë 12 orë në ditë, madje edhe janë trajnuar si ndihmës mjek në raste kur fluksi është i lartë.

Ata kanë informacion se kryeministri ka miratuar para disa kohësh një VKM-më ku pagat e tyre ngrihen nga 10 mijë në 14- mijë lekë në muaj. Por ulja qe u është bërë thonë ata bie në kundërshtim me VKM-në.

Fiks Fare iu drejtua drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe Ministrisë së Shëndetësisë për problemin e shofereve të ambulancave të urgjencës mjekësore paraspitalore.

Sipas  kësaj drejtorie aktualisht shoferët e autoambulancave në institucionet spitalore paguhen në bazë të Vendimit nr. 326, datë 31.05.2023, i cili përcakton pagat për punonjësit mbështetës dhe të specialiteteve të ndryshme në institucionet publike.

Pjesë e vlerësimit të pagës së tyre janë paga bazë, shtesa për natyrën e veçantë të punës, shtesat për kushte të vështira, si dhe pagesa për turnet e fundjavave apo festave.

VKM-ja e 6 qershorit 2024, sipas tyre, nuk parashikon ulje të pagës së shofereve, por rritje të pagës nga 10 mijë lekë në 14 mijë lekë në muaj.

Drejtuesja e QSUT-së, zonja Alma Cami sqaron për Fiks Fare se nga ana e institucionit që ajo drejton, po ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për mbështetjen e shoferëve të autoambulancave në Urgjencën Paraspitalore, me qëllim që pagesat e tyre të jenë sipas kodit të punës. Sipas saj, ulja e pagave për këta shoferë për 3 muaj me radhë ka qenë një keqkuptim nga zyra ekonomike gjatë ndryshimit të referencës së pagave.

Gjithashtu drejtoresha e QSUT, zonja Cami, thekson se kanë marrë masa duke kërkuar me shkresa në Ministrinë e Shëndetësisë  zgjidhjen e kësaj problematike, duke rikthyer të njëjtat pagesa siç parashikohen në kodin e punës, përfshirë këtu vështirësinë e punës dhe specifikat e turneve të II dhe të III.

Po kështu, Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen e saj për Fiks Fare sqaron se shumë shpejt ky problem do të zgjidhet, pasi kanë inicuar praktikën e nevojshme zyrtare për rishikimin dhe rritjen e pagave të shoferëve të ambulancave të Urgjencës Paraspitalore. Në VKM-në e radhës pritet që të pasqyrohet ky ndryshim dhe do të ketë efekt që nga dt 1 korrik 2024, duke zgjidhur problemin e pagave të këtyre punonjësve për këto 3 muaj.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA