Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit e mban presidencën e radhës së BE-së, kritikoi bllokun në seancën plenare të Parlamentit Europian, duke thënë se nuk po i mban premtimet e bëra vendeve të Ballkanit përpara 20 viteve, duke vecuar sidomos rastin e Serbisë.
“Duhet të fokusohemi sidomos tek Serbia. Pa Serbinë, nuk mund ta stabilizojmë Ballkanin. Përsa kohë Serbia nuk është pjesë e Bashkimit Europian, Ballkani mbetet një rajon jostabil.”
Ndërkohë, gjatë një konference për shtyp në Strasburg që ai mbajti më pas, një demonstrues hyri në sallë duke shkaktuar momente tensioni.
Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, ndërsa statusin e vendit kandidat e mori në vitin 2012, para se të fillonte negociatat në vitin 2014. Edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë filluar negociatat për anëtarësim, ndërsa Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022. Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat, dhe ka aplikuar për anëtarësim në fund të vitit 2022.
Orban kujtoi në fjalimin e tij se dy dekada më parë, BE-ja u kishte premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit në BE. “Presidenca hungareze është e mendimit se ka ardhur koha ta përmbushim këtë premtim”, u shpreh ai, ndërsa njoftoi zhvillimin e një samiti me Ballkanin Perëndimor.
Top Channel