Parlamenti Europian, mandati i ri i të cilit nisi këtë verë, është duke vazhduar procedurat e themelimit të komisioneve, delegacioneve dhe strukturave tjera që janë të domosdoshme për punën e tij. Por sinjalet që mbërrijnë edhe në kjo legjislaturë për Ballkanin perëndimor janë mjaft pozitive.
Në kuadër të procesit të konstituimit janë krijuar tashmë edhe delegacionet parlamentare për raporte me vendet jashtë BE-së, me të cilat ekziston një kornizë për bashkëpunim. Gjatë muajit shtator ka përfunduar procesi i krijimit të delegacioneve përkatëse për raportet me vendet e rajonit.
Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë mbështetës i fuqishëm i avancimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Këtë e ka shprehur edhe në deklaratat e përbashkëta të delegacioneve ndërparlamentare, por edhe në raportet dhe rezolutat e miratuara nga vetë ai. Ndonëse ka pasur disa ndryshime në përbërjen e Parlamentit Evropian në këtë mandat, pasi është rritur numri i deputetëve nga partitë e ekstremit të djathtë, shumica e deputetëve të tashëm janë të bindur se nuk do të ketë zvogëlim të mbështetjes për procesin e zgjerimit e as për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ka pasur një interesim mjaft të madh të deputetëve për t’u bërë anëtarë të këtyre delegacioneve, sikur edhe për postet udhëheqëse në to. Deputeti Marco Tarquinio, social-demokrat nga Italia, do të jetë shef i delegacionit për Shqipërinë dhe i delegacionit të përbashkët të MSA-së me Shqipërinë. Shef i delegacionit të Parlamentit Evropian për raportet me Kosovën, e po ashtu edhe i delegacionit të përbashkët parlamentar të stabilizim-asociimit, do të jetë deputeti nga Kroacia, Davor Ivo Stier.
Të zgjedhurit në postet e kryesuesve të delegacioneve kanë paralajmëruar se shumë shpejt do t’i nisin kontaktet me kolegët e tyre nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me parlamentet nacionale të këtyre vendeve, në mënyrë që të punojnë së bashku në agjendën e reformave.
Top Channel