Ka përfunduar rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë.
Në ceremoninë e përurimit, Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se buqeta e shkollave në kryeqytet do vijojë të plotësohet me rindërtimin e shkollave “Edith Durham” dhe “Petro Nini Luarasi”.
“Ka shumë njerëz që thonë, jo vetëm për shkollën, por edhe për teatrin, se e duan ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë! Çështja është të bëjmë ca gjëra të reja, të bukura, më të forta e më të mëdha, me më shumë hapësirë e modernizim e më shumë cilësi. Sot kemi zbatuar pikërisht këtë: aty ku ka qenë, por më e madhe, më e bukur dhe më e fortë”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se Tirana është e vetmja bashki në Europë që e jep falas arsimin digjital për fëmijët, për të siguruar kështu që brezi i ri të mësojë punët e së ardhmes pa qenë nevoja të ikë nga Shqipëria.
“Për një mendje të kthjellët është kollaj ta dallojë dikë që thotë: “Do bëjmë këtë shkollë, edhe atë shkollë, edhe atë shkollen tjetër, po edhe këtë tjetrën” nga ai që thotë: “Do të bllokojmë këtë rrugë në datën kaq dhe këtë rrugën në datën aq, dhe do të takohemi te kjo rrugë për të djegur goma dhe te ajo rrugë do zihemi me policinë”. Mendja e kthjellët shikon kush është energjia që prodhon të mira dhe që do të shtyjë përpara suksesin, dhe kush është ajo energjia keqe, që jo vetëm mban erë, po mundohet edhe të të mallkojë në çdo punë të mirë”, u shpreh kryebashkiaku.
Po ashtu kryebashkiaku rikujtoi se nga shtatori i ardhshëm ushqimi në shkolla do të jetë falas.
Top Channel