750 mijë euro, 6 apartamente dhe 6 makina të Oltion Hasanit, i dënuar në Britaninë e Madhe dhe motrës së tij, punonjëse në drejtorinë e shërbimeve qeveritare.
Sipas policisë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të tij dhe I. H., 41 vjeçe, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi Hasani i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Prokuroria e Tiranës dyshon se familjarët e tij përdorën një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, të cilat kishin si pritëse finale motrën e tij, një 41 vjeçare që ishte e punësuar në drejtorinë e shërbimeve qeveritare.
Siç mëson Top Channel rasti i shtetasit Oltion Hasanit, një i dënuar në Angli, u sinjalizua për Prokurorinë nga krimit ekonomiko financiar, pas dyshimeve se brenda pak muajsh në llogarinë e saj u dhuruan nga të afërmit 180 mijë euro.
Dhurata e parë iu kalua motrës të të dënuarit nga ish kunati i cili sipas dosjes që TCH e disponon rezulton i vetëpunësuar për transport mallrash.
Në datën dy prill ai i dhuroi të resë 40 mijë euro, duke arsyetuar kalim sipas deklaratës notariale, në një kohë që hetimi provoi që nuk ekziston një deklaratë e tillë.
Një javë më vonë në llogarinë e gruas depozitohet dhurata e dytë prej 90 mijë euro nga tezja e saj dhe një muaj më pas një person që e prezanton si mbesa i kaloi në bankë edhe 20 mijë euro .
Shumat e tjera sipas prokurorisë janë të depozituara cash nga 41 vjeçarja që i ka shpjeguar si kursime dhe të ardhura nga shitja e një automjeti.
Duke gjurmuar dhuratat monetare prokuroria kërkoi sekuestron preventive të disa aseteve dhe automjeteve që dyshohen se janë të krijuara nga paratë e drogës.
Top Channel