Pas një konkurrimi të nisur prej datës 6 shtator, ku garuan 15 kandidatë Ilir Proda u propozua nga Ministri i Brendshëm në Këshillin e Ministrave për të drejtuar Policinë e Shtetit.

Proda fitoi në këtë garë krah Altin Menës, Ardian Cipës, Neritan Nallbatit dhe Skëndert Hitës që u vlerësuan me më shumë pikë nga komisioni i posaçëm. Ilir Proda prej marsit të vitit të kaluar ishte drejtor i policisë së Elbasanit. Këtë mars Ai kaloi dhe filtrin e vetting-ut ku u certifikua i pastër në të tri shtyllat atë profesionale, pastërtinë e figurës dhe pasurinë. Ilir Proda ka një karrierë gati 19 vjeçare në radhët e uniformave blu.

Pas përfundimit të akademisë së sigurisë në vitin 2005 Proda u emërua specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Më pas për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate të ndryshme dhe në drejtorinë e përgjithshme.

Në 2013 ai drejtoi komisariatin nr. 2 në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 ku shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.

Në korrik të vitit 2019 pasi mori gradën “kryekomisar” ai u emërua zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Ndërsa në 2021 ai u emërua në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.

Nga marsi i vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan detyrë të cilën e mbante deri më sot. Për shkak të pozicionit që ka fituar Proda do të marrë gradën “drejtues madhor” dhe sipas ligjit të ri për policinë e shtetit ka një mandate 5 vjeçar për të drejtuar Policinë e Shtetit.

Ilir Proda ka diplomë avokati dhe ka kryer studimet master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA