“Nuk kam simpati për Salianjin, por burgosjen e tij nuk e duartrokas”/ Kikia në Top Story: A do shuhet ky ‘nerv’ i opozitës, njësoj si…

30/09/2024 21:28

Opozita vendosi që të digjte karriget e saj jashtë kuvendit, kjo si shenjë revolte kundër arrestimit të Ervin Salianjit, teksa më pas krijoi dhe kaos në parlament duke thyer foltoren dhe mikrofonat e deputetëve të mazhorancës.

I ftuar në Top Story, gazetari Mentor Kikia, e ka komentuar këtë si një prag të ri në politikën shqiptare dhe ka ngritur pyetjen nëse ky aksion do të shuhet, njësoj si aksioni i parë me tymuese brenda në kuvend.

“Ta nisim te sebepi i sherrit. Salianjin nuk e njoh nga afër, si politikan nuk kam simpati, por kjo nuk më bën ta duartrokas burgosjen e tij. Unë do duartrokisja nëse një politikan shkon në burg për shpifje reale, por aq sa e kam ndjekur çështjen, drejtësia nuk e ka bindur mjaftueshëm publikun për atë që Salianji është në burg.

Kjo nuk krijon vetëm një ‘mollë sherri’, por përtej kësaj, na çon te krijimi i një fryme, edhe pse tepër ta themi paniku, apo pasigurie te çdokush që mund të denoncojë, të cilat mund të mos jenë shumë të faktuara. Por në fund politikanët nuk janë prokurorë që do marrin një dëshmitar me vete për të bërë një pohim.

Ky është një prag i ri në politikën shqiptare, të paktën duke parë ditën e sotme. Ajo që mbetet për t’u konfirmuar në të ardhmen, është se nëse ky nervi i opozitës, do të jetë një nga ato aksionet që do të shuhet, sikurse ishte aksioni i parë me tymuese. Sot u zgjodh të mos ishte korridori i sallës, për të thënë që sherri doli edhe jashtë godinës, por pa u braktisur parlamenti.

Për Gjekmarkajn kam një pyetje, sa do të jetë në gjendje opozita për të prodhuar një produkt nga ky aksion e për të mos prodhuar tymin e radhës? Sepse në fund varet edhe shkalla e besueshmërisë e qytetarëve te aksioni”, u shpreh Kikia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA