“Çoji Gazit 100 mijë euro te…”/ Zbulohet mesazhi në celularin e kreut të Grupit të PD, Bardhi kërkesë SPAK-ut: Jam intimiduar me sms të rreme

30/09/2024 12:21

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka publikuar sot një mesazh që i ka mbërritur një ditë më parë në aplikacionin Signal, të cilën e ka konsideruar të rremë dhe i kërkoi SPAK-ut të hetojë për kërcënimin që po i bëhet.

Ai shprehet se ka një përpjekje kriminale për ta intimiduar përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërsa ka publikuar edhe mesazhin.
Gazment Bardhi ka depozituar në SPAK një fotografi të mesazhit që i ka ardhur në aplikacionin e komunikimeve Signal nga një përdorues i identifikuar si “Mbreti Zog”.

Top Channel ka mësuar se mesazhi që ka shkuar dje në aplikacionin e kreut të grupit të PD-së përmbante fotografinë e disa mesazheve të shkëmbyer në rrjetin SKY- ECC, ku në njërin prej tyre, të nisur nga Ervis Martinaj në drejtim të një numri tjetër thuhej “çoji Gaz Bardhit 100 mijë euro te hotel…” dhe ishte nisur në vitin 2021.

“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, shkruan Bardhi në letrën drejtuar kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Në të njëjtën kreu i grupit parlamentar të PD-së e ka çuar telefonin e tij te një notere, e cila e ka hapur aparatin dhe ka noterizuar përmbajtjen e mesazhit që i kishte shkuar Gazment Bardhit.

NJOFTIM PËR SHTYP I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Shantazh anonim në telefonin e Gazment Bardhit, kreu i grupit parlamentar të PD padit në SPAK fallsifikimin e rëndë: Të interesuar Kryeministri dhe krimi i organizuar

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të fallsifikuar. Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar. Zoti Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, qendrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.

“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor.”- thotë zoti Bardhi në letrën për Drejtuesin e SPAK-ut dhe për të cilën ka vënë në dijeni ambasadat e SHBA, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. “Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre.”- thuhet në letrën drejtuar SPAK.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA