Ervin Salianji ka kaluar 48 orët e para në burg, ndërsa avokatët e tij po përgatiten për hapin e radhës, atë të rekursit në Gjykatën e lartë.
Gjykatë e cila në fakt e ka krijuar tashmë një standard sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me lirinë së shprehjes dhe dënimeve për kallëzim të rremë.
Më 9 korrik të këtij viti Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj. Ky institucion u shpreh se “denoncimi publik nuk është kallëzim i rremë”.
Në raportin prej 30 faqesh, Gjykata e lartë ka arsyetuar ndër të tjera se “vlerësimi i fjalës së shkruar si të mjaftueshme për tu konsideruar inkriminuese ndaj një shtetasi, nuk është karakteristikë e një shoqërie demokratike dhe përgjithësisht bie ndesh me të drejtat themelore të një shtetasi dhe nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)”.
Ndërsa në një pikë tjetër gjykata argumenton se “kemi të bëjmë me shtrirjen dhe kufijtë e së drejtës për lirinë e shprehjes, një e drejtë e cila është jetike në ruajtjen e “një demokracie efektive politike”, në kushtet e Preambulës së Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Është gjithashtu e rëndësishme për shkak se i referohet kufijve të kësaj të drejte në lidhje me lirinë për të raportuar mbi procedimet gjyqësore në vazhdim, të cilat mund të kenë pasoja të thella ligjore dhe sociale në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes nuk është vetëm një e drejtë subjektive, por edhe një garanci objektive e demokracisë”
Ervin Salianji u dënua me një vit burg tre ditë më parë nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Ai u shpall fajtor për kallëzim të rremë publik, pasi kishte denoncuar 6 vite më parë vëllanë e ish- ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Deputeti i partisë demokratike do ta vazhdojë betejën ligjore në shkallën e tretë të gjyqësorit, duke shpresuar që këtë herë vendimi të jetë pro tij. Gjithmonë nëse Gjykata e Lartë do të ruajë standardin që ka krijuar vetë…
Top Channel