“Diktuam një raketë të lëshuar këtë mëngjes nga Libani”: Kaq mjaftoi që Izraeli ta niste ditën me bombardime të reja kundër atyre që i cilësoi si shënjestra të Hezbollahut në jug të Bejrutit dhe në lindje të Luginës Bekaa, ndërsa njoftoi vdekjen e kreut të grupit të fuqishëm militant, Hasan Nasrallah.

“Ne dimë si të godasim kë na kërcënon”, thuhet ne njoftimin e IDF-së. “Hasan Nasrallah nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën”, theksohet më tej. Nga hezbollahu vetë, nuk ka ende asnjë reagim.

Mediat izraelite raportuan më herët se nga sulmi ka humbur ujetën vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, edhe ky një lajm i pakonfirmuar nga grupi militant. Djali i Nasrallahut, Hadi, është vrarë gjatë luftimeve kundër trupave izraelite më 1997. Televizioni Al-Manar, i drejtuar nga Hezbollahu, raportoi se të paktën katër ndërtesa u shkatërruan gjatë sulmeve dhe se pati viktima të shumta.

Ministria e Shëndetësisë Libaneze foli për 6 të vrarë e mbi 90 të plagosur. Më herët kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen. Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse republika islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin, ndërsa shtoi se “do të vazhdojnë ta dobësojnë Hezbollahun deri sa të përmbushin të gjitha objektivat e tyre”.

Hezbollahu është grup militant por edhe parti politike njëkohësisht, e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Europian ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike të tij, e cila është e përfaqësuar në Parlamentin libanez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA