Tetë vite nga publikimi i audioregjistrimit që kishte në qendër Geron Xhafajn, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Gjykata e Apelit dënoi deputetin Ervin Salianji duke e shpallur atë fajtor për akuzën e kallëzimit të rremë.

Për të njëjtën vepër u dënua edhe Fredi Alizoti dhe po ashtu u la në fuqi edhe dënimi për gazetarin Jetmir Olldashi.

Gjykata e Apelit lexoi shkurtimisht vetëm dispozitivin, duke thënë se nuk pranohet ankimimi i Fredi Alizotit, i cili ishte gjetur fajtor nga Shkalla e Parë dhe për këtë arsye gjykata tha se lë në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 të shpallur nga Gjykata e Tiranës.

I shoqëruar nga deputetët demokratë, Ervin Salianji dha një deklaratë të gjatë për shtyp.

Salianji u shpreh se gjithçka ishte e parapërgatitur dhe se vendimi u dha nga gjyqtarë pjesë e PS. Gjatë fjalës së tij, jashtë dyerve të gjykatës, ai tha se do ta ankimojë vendimin dhe do të ndjekë procedurat e tjera gjyqësore.

“Sikurse e ndoqët ne seancë, gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Një vendim i falsifikuar për të hapur këtë proces gjyqësor. Shtyu seancën e kaluar, për të sjellë vendimmarrje e tij. Vendimmarrje e gjykuar nga gjyqtarë, si të themi një pjesë e PS-së të gjykojë një seksion të PD-së.

Një nga gjyqtarët është një superordiner që do keni prova në të ardhmen është njeri që flet në tavolinë që do shkojë në Gjykatë të Lartë dhe për të shkuar në Gjykatë të Lartë unë vras njeri jo më të dënon një politikan. Do ta bëj këtë betejë, në të ardhmen do keni shumë procese të tjera, dhe do ta shihnim si do të shkojë historia në të ardhmen, kjo nuk është asnjë. Do të jemi prapë këtu do të kemi kohë dhe për t’i hyrë procesit me themel.

Do e ankimoj vendimin dhe do ndjekim procedurat e tjera gjyqësore. Fatmir Xhafaj është njeriu që përdoret nga Rama dhe do të kapë ishuj ende të pa kapur në gjyqësor. Unë do të jem në dispozicion dhe do të vetë dhe do ta bëj me qejf ku të duan këta. E gjitha kjo bëhet para zgjedhjeve”, tha Salianji.

Gjykata ka thënë se gazetari Olldashi duhet të kryejë 100 orë punë me interes publik, ndërsa Salianji për një vit duhet ta vuajë heqjen e lirisë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA