Kredia inovative e USAID/NOA, 2 milionë dollarë në sektorin e industrisë së këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri

25/09/2024 15:30

Industria e këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri, një sektor që përbën një nga eksportuesit dhe punëdhënësit kryesorë në vend, ka përjetuar vështirësi të njëpasnjëshme vitet e fundit për shkak të pandemisë së COVID-19, luhatjeve të valutës dhe rritjeve të çmimeve si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

E pikërisht në një moment të tillë Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në bashkëpunim me institucionin financiar NOA, injektoi me sukses 2 milionë dollarë amerikanë në sektorin e këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri përmes zbatimit të Projektit të Kredisë për Këpucë dhe Veshje (FALP), që u lançua në janar 2023.

Në hyrje të sallës ku u zhvillua takimi një shprehje e njohur popullor “Miku i mirë në ditë të vështirë”.

Adam Norikane, Këshilltar i Lartë Teknik i USAID në Shqipëri tha: “Si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të USAID-it për fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, jemi krenar që kemi bashkëpunuar me NOA-n për Projektin e Kredisë për Këpucë dhe Veshje për të ndihmuar në mbrojtjen e qindra vendeve të punës dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë në skenën globale. Kjo iniciativë thekson përkushtimin tonë për të ofruar zgjidhje financiare inovative që mund të mbështesin industri kyçe dhe të hapin rrugën për një rritje të qëndrueshme, edhe përballë sfidave ekonomike”.

Produkti i kredisë, ofroi kredi pa kolateral deri në 75,000 euro (rreth 83,000 dollarë amerikanë), të shoqëruara me asistencë teknike të dedikuar për 74 ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME) në të gjithë Shqipërinë.

“Financimi i FALP-it ishte tërësisht i dedikuar sektorit të këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri, duke shënuar një iniciativë novatore për një industri ku financimi ishte i pamundur pas zhvlerësimit të eksporteve. Qëllimi ynë ishte të ishim të parët që mbështesnim bizneset e reja me rrezik të lartë, duke siguruar një rritje afatgjatë për një sektor që punëson dhjetëra mijëra gra dhe kontribuon ndjeshëm në eksportet shqiptare. Unë besoj se e kemi arritur këtë qëllim”, tha Herjola Spahiu, Drejtore Përgjithshme Ekzekutive e NOA.

Që nga nisja e tij, në janar të 2023 FALP u dhanë kredi, të cilat kanë ndikuar në garantimin e gati 600 vendeve të punës.

Edvin Prençe, Kryetar i Shoqatës “Pro Export Albania” shtoi: “Projekti i Kredisë për Këpucë dhe Veshje (FALP) ishte një program që synonte ofrimin e mbështetjes financiare/kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) në industrinë e këpucëve dhe veshjeve. Objektivat e projektit përfshinin asistencën financiare, mbështetjen për inovacion, trajnimin për zhvillimin e biznesit, ndërtimin e kapaciteteve, qëndrueshmërinë dhe zgjerimin e tregut”.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA