Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga OSBE në Vjenë, së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Michael Terran, ku kanë qenë të pranishëm anëtarë të OSCE-së.
Qose raportoi për situatën në Shqipëri, tha:
Të nderuar zyrtarë dhe përfaqësues të OSBE-së, përfaqësues të institucioneve të tjera të nderuara, të pranishëm në këtë eveniment të rëndësishëm,
Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë që t’ju drejtohem sot në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë, për të ndarë me ju një pasqyrë të shkurtër të ecurisë dhe sfidave në sistemin tonë penitenciar, si dhe për të theksuar rolin e jashtëzakonshëm që OSBE-ja ka luajtur në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Ekzekutimi i vendimeve penale me burgim në Shqipëri realizohet në 21 institucione rajonale, të shpërndara në të gjithë qarqet kryesore të vendit. Këto përfshijnë një institucion për të miturit (IM Kavajë), një institucion për femrat (IEVP Pojskë, Pogradec), një institucion shëndetësor për të burgosurit (QSB), dhe një institucion për trajtimin e shtetasve me masë mjekësore (IEVP Lezhë). Katër IEVP në Korçë, Peqin, Burrel, dhe Reç ofrojnë siguri të lartë, ndërsa 12 të tjera (Tepelenë, Vlorë, Fier, Lushnjë, etj.) janë të sigurisë së zakonshme. Për herë të parë në historinë e sistemit penitenciar, është krijuar një burg i hapur në Ali Demi, që ka një rëndësi të veçantë për trajtimin e të dënuarve.
Gjatë periudhës Janar-Shtator 2024, në sistemin e burgjeve janë trajtuar mesatarisht 4,988 persona, nga të cilët 1,615 të dënuar dhe 2,887 të paraburgosur. Ndër to, 486 persona janë trajtuar nën masa mjekësore me mjekim të detyruar. Ky është një tregues i rëndësishëm i sfidave me të cilat përballemi në menaxhimin e popullsisë së burgjeve, por gjithashtu i përpjekjeve për t’u përqendruar në trajtimin dhe rehabilitimin e tyre.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në përmirësimin e legjislacionit dhe politikave të sistemit të burgjeve, si dhe në forcimin e standardeve të drejtësisë dhe barazisë. Përmes këtij bashkëpunimi, është siguruar një mbrojtje më e qëndrueshme e të drejtave të individëve të përfshirë në sistemin tonë.
Fokusi i bashkëpunimit me OSBE-në ka qenë në disa fusha kyçe:
– Mbështetja për legjislacionin dhe politikat e sistemit penitenciar që kanë garantuar standarde të larta për trajtimin e të burgosurve.
– Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit brenda burgjeve, duke përmirësuar masat parandaluese.
– Programi Master Ekzekutiv në Kriminologji, që ka siguruar një bazë solide për edukimin dhe trajtimin profesional të stafit.
– Mbështetja për Regjimin e Posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, për të menaxhuar më mirë të burgosurit që përbëjnë rrezik të veçantë.
Falë kësaj mbështetjeje nga OSBE, kemi arritur rezultate konkrete në disa aspekte kyçe:
– Trajnimi i stafit për regjimin e posaçëm 41 bis, që ka forcuar kapacitetet për menaxhimin e të burgosurve të rrezikshëm.
– Vizitat studimore në Itali, që na kanë mundësuar të përfitojmë nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
– Hartimi i studimeve mbi mbipopullimin e burgjeve, që kanë ndihmuar në trajtimin më efektiv të sfidave të mbipopullimit.
– Draftimi i Kodit të Etikës, që përmirëson standardet etike dhe profesionale për stafin e burgjeve.
Një tjetër arritje është përgatitja e një katalogu të detajuar trajnimesh për të garantuar përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të stafit.
Sjell në vëmendjen tuaj, si ish Drejtor i Përgjithshëm të Shërbimit të Proves, institucion i cili luan një rol kyç në uljen e mbipopullimit në burgje, duke ofruar alternativa të qëndrueshme ndaj dënimeve me burg për individët që janë subjekt i ndjekjes penale. Ky mekanizëm ndihmon në krijimin e një balancimi të drejtë midis rehabilitimit të të dënuarve dhe garantimit të sigurisë publike, duke u fokusuar në risocializimin dhe monitorimin e të dënuarve jashtë mjediseve të burgut dhe OSBE meriton një falenderim të veçantë për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Shërbimit të Proves.
Një nga arritjet më të mëdha është Programi Master Ekzekutiv në Kriminologji, që ofron mundësi arsimimi për profesionistët e zbatimit të ligjit, përfshirë stafin në sistemin e burgjeve. Ky program është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e njohurive dhe aftësive të profesionistëve dhe kam nderin që edhe unë jam pjesë e tij. Ky master, i cili fokusohet në nevojat e studentëve që tashmë janë pjesë e praktikës ligjore dhe të angazhuar në hartimin dhe zbatimin e politikave penale, është një burim i rëndësishëm për ata që dëshirojnë të thellojnë ekspertizën e tyre dhe të përparojnë në karrierën e tyre në fushën e drejtësisë dhe kriminologjisë. Për sistemin e burgjeve dhe shërbimin e provës, ky master sjell një përfitim të drejtpërdrejtë, pasi rritja e kapaciteteve të profesionistëve do të ndihmojë në përmirësimin e politikave dhe praktikave për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve, parandalimin e rikthimit në kriminalitet, dhe forcimin e sigurisë në institucione.
Duke parë përpara, bashkëpunimi me OSBE-në do të vazhdojë të përqendrohet në projekte që përmirësojnë njohuritë e stafit të DPB-së mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave në paraburgim. Një projekt kyç përfshin përkthimin dhe redaktimin e Manualit të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit mbi Rregullat e Nelson Mandelës, si dhe trajnimin e trajnerëve për stafin e burgjeve, duke përfshirë 25 punonjës të lartë të sistemit. Ky trajnim do të sigurojë aftësi praktike për zbatimin e rregullave në kontekstin e përditshëm profesional, duke përmirësuar komunikimin dhe empatinë.
Reformimi i sistemit të burgjeve në Republikën e Shqipërisë ka qenë një proces i gjatë dhe kompleks, por falë përkushtimit të përbashkët, kemi arritur përparime të mëdha. Përmirësimi i sigurisë, investimet infrastrukturore dhe përdorimi i teknologjive të avancuara kanë qenë në qendër të përpjekjeve tona. Po ashtu, digjitalizimi i platformave të sistemit është një domosdoshmëri, si dhe ngritja e një qendre spitalore për trajtimin e të burgosurve me probleme të shëndetit mendor.
Në master planin 2024-2030, është parashikuar mbyllja e disa burgjeve me infrastrukturë të dobët dhe përmirësimi i kushteve në të gjithë sistemin. Për këto sfida dhe projekte, mbështetja e OSBE-së do të jetë kyçe.
Në mbyllje, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të OSBE-së, që ka ndihmuar në avancimin e objektivave tona për një sistem penitenciar më të sigurt, më njerëzor dhe më të drejtë. Me mbështetjen e fortë të OSBE-së, jemi të sigurt se do të vazhdojmë të përballojmë me sukses sfidat e ardhshme dhe të ndërtojmë një sistem ku rehabilitimi dhe riintegrimi janë parime themelore.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe për bashkëpunimin tuaj të çmuar.
Top Channel