Vrasja e dyfishtë në Roskovec/ Prokuroria regjistron procedimin penal, akuzat që rëndojnë ndaj të dyshuarve

17/09/2024 10:15

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal për ngjarjen e 10 shtatorit në Roskovec, ku u vra Vladimir dhe Gramoz Kurtaj dhe po  kryhen hetime për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Ndaj Altin Kukës rëndon vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndaj djalit të tij, Emaurisios, rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim,“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Edhe ndaj djalit tjetër, Ervisit, rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa për Tomorr Zykën, akuza është “përkrahje e autorit të krimit”. Ndërkohë, për shtetasit Y.K. dhe të miturin në konflikt me ligjin E.H, për shkak të moshës së tyre, vazhdon hetimi në gjendje të lirë.

Një javë pas ngjarjes, motivi për vrasjen e dyfishtë në Kurjan mbetet i paqartë. Altin Kuka u vetëdeklarua fajtor dhe u dorëzua në polici, duke rrëfyer edhe arsyen e krimit, megjithatë mbetet e pakuptueshme se si miqësia e gjatë mes familjeve Kuka dhe Kurtaj u kthye në një akt të tillë të dhunshëm. Detaje të mëtejshme të dosjes hetimore janë klasifikuar si sekret, duke lënë të hapura pistat për zbardhjen e motiveve të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA