Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri polak Donald Tusk u nderuan me Çmimin Evropian të Medias M100 për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në mbrojtjen e demokracisë dhe të vlerave evropiane.

Kryetari i Bashkisë së Potsdamit në Gjermani, Mike Schubert, ku u zhvillua dhe ceremonia, i quajti ata pionierë për një Europë moderne dhe të qëndrueshme. Vetë Osmani e cilësoi këtë çmim një vlerësim për popullin e Kosovës.

“Historia e Kosovës është histori e besimit në demokraci. Pavarësisht se sa e brishtë është ndonjëherë, për demokracinë ia vlen gjithmonë të luftohet e se lufta për demokraci nuk është kurrë një luftë individuale, por është një përpjekje kolektive. Ajo na përket të gjithëve ne. Dhe nëse heshtim, nëse tërhiqemi, ndihmojmë në mbjelljen e farave të ndarjes që kërkojnë të rrëzojnë gjithçka që kemi arritur së bashku”, shprehet Osmani.

Ajo tha më pas për Deutsche Wellen se e sheh këtë çmim mbi të gjitha si njohje për popullin e Kosovës, si një vlerësim të jashtëzakonshëm të luftës së gjatë dhe të vendosur të popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.

Osmani u shpreh se ndihet krenare që me nderimin e saj po nderohet edhe populli i Kosovës dhe arritjet e tij. Të njëjtë gjë pohoi në fjalimin e tij edhe  Rudolf Scharping, ish-ministri i mbrojtjes së Gjermanisë gjatë luftës së Kosovës.

“Ajo është një simbol i asaj që përfaqëson i gjithë populli i Kosovës. Kjo nuk është vetëm një njohje për presidenten, por për të gjithë popullin e Kosovës, i cili, përkundër shumë sfidave, ka luftuar pa u lëkundur për të drejtat dhe pavarësinë e tij”, thotë Scharping.

Çmimi M100 Media, i cili nuk shoqërohet me një shpërblim financiar, nderon personalitete të guximshme që protestojnë kundër shtypjes në vendin e tyre dhe angazhohen për lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA