Kryeministri serb, Millosh Vucevic pohoi se në fjalimin e sotëm e të shumëtrumpetuar të tij drejtuar popullit, presidenti Aleksandar Vucic do të shpjegojë se çfarë po ndodh në Kosovë, dhe çfarë hapash do të hedhë shteti serb lidhur me këto ngjarje.
“Në orën 18:00, presidenti do të shpjegojë saktësisht se çfarë po ndodh, në detaje, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë të kenë një pasqyrë të plotë të situatës. Ai sigurisht do të tregojë se cfarë masash do të marrë vendi ynë në periudhën e ardhshme”, u shpreh Vucevic për radiotelevizionin serb, RTS.
Shefi i ekzekutivit shtoi se vendimet që kreu i shtetit do të bëjë publike këtë pasdite, përbëjnë një qëndrim të përbashkët të presidencës dhe qeverisë.
“Duke mbrojtur serbët në Kosovë, ne po mbrojmë të gjithë Serbinë në aspektin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të vendit”, ishte komenti i tij.
Vuçevic shtoi më tej se kryeministri i Kosovës Albin Kurti vazhdimisht, sipas tij, po bën diçka të re për të provokuar serbët dhe për t’u treguar atyre se nuk mund të qëndrojnë dhe të mbijetojnë atje.
“Jam pothuajse i sigurt se ai nuk do të ndalet me axhendën, planin dhe synimin e tij politik”, pohoi kryeministri.
Vucic u takua një ditë më parë me ambasadorin e Bashkimit Europian në Serbi, Emanuele Giaufret, gjatë bisedës me të cilin kërkoi që shtetet e bllokut të kundërshtojnë, siç tha ai, arbitraritetin e Prishtinës.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën sërish pasi autoritetet kosovare në fund të gushtit mbyllën pesë institucione paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme dhe jokushtetuese.
Top Channel