Një i dyshuar për krime lufte në Kosovë është arrestuar më 12 shtator, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Policia tha se i dyshuari, T.P., i nacionalitetit serb, u arrestua në bazë të një autorizimi të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

“I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth muajit mars të vitit 1999, në komunën e Istogu, ka kryer vepra të ndryshme penale duke përfshirë, plaçkitjen dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile”, u tha në njoftim.

Autoritetet bënë të ditur se i dyshuari tashmë gjendet në ndalim policor, teksa Policia nuk dha detaje se ku u krye arrestimi i tij.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, afër 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA