Qeveria britanike është detyruar të fillojë sot zbrazjen e burgjeve për shkak të mbipopullimit të tyre, krizë që ka çuar në lirimin me kushte të më shumë se 5 mijë të burgosurve duke filluar nga sot deri në një fazë të dytë nga fundi i tetorit, nga mbi 88 mijë të dënuarve që ndodhen sot nëpër burgjet britanike.
Sot do lirohen rreth 1750 syresh. Shumica e të dënuarve do jenë mes atyre që kanë kryer tashmë 40 përqind të dënimit, nga 50 përqind që ka qenë më përpara. Gjasat janë se mes veprave penale do jenë ata që kane plaçkitur dhe kanë vjedhur banesa, hajdutë dhe mashtrues, apo të dënuar për lëndime trupore, përfshi edhe trafikantë droge dhe shitës rruge të lëndëve narkotike.
Me siguri matematikore pritet të përfitojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët përbëjnë një përqindje të lartë të të burgosurve në radhët e të huajve në Britani. Shumë prej tyre janë dënuar për përfshirje në prodhimin e lëndëve narkotike, si nëpër shtëpitë e barit apo dhe për shitjen e drogës nëpër rrugë apo përmes linjave telefonike të shitjes së drogës. Sipas medias në radhët e të liruarve jo vetëm shqiptarë mund të ketë edhe nga ata që janë dënuar me 10 apo 15 vjet heqje lirie.
Nga 22 tetori ata që janë dënuar me më shumë se 4 vjet do klasifikohen se mund të përfitojnë nga kjo skemë e lirimit të hershëm. Ka shqetësime për atë se ku do përfundojnë këta të liruar dhe sa dhe si, do mbahen nën vëzhgimin e institucioneve të riedukimit apo strehimit eventual të tyre. Në rastin e shqiptarëve, mbetet ende e paqartë për ata që do lirohen se cdo të ndodh, nëse ata kanë pasur dënime mbi një vit, nëse ata do riatdhesohen apo do lirohen në komunitet edhe pse në Britani dënimi nënkupton gjysmën e vuajtjes së dënimit, pasi quhet ditë dhe natë.
Kriza e mbipopullimit të burgjeve në Britani është aq e thellë, saqë Britania ka arritur këto ditë një marrëveshje për dërgimin e rreth 1000 të brugosurve britanik në Estoni për të liruar kapacitet e tejmbushura të burgjeve.
Top Channel