“Njëri nga vëllezërit e vrarë dhe autori janë të adoptuar”, banorët për ngjarjen në Roskovec: Të tre konsumonin kafe në fshat, para një jave…

10/09/2024 20:07
Viktimat, Gramoz dhe Vladimir Kurtaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Kurjan të Roskovecit.

Dy vëllezërit, Gramozi, 52 vjeç, dhe Vladimir Kurtaj, 46 vjeç, kanë mbetur viktima të një grindjeje që ka nisur ditën e djeshme midis fëmijëve.

Fillimisht u raportua se dy viktimat ishin kushërinj, por sipas dëshmive të banorëve, ata janë vëllezër, por njëri prej tyre (dyshohet Vladimiri) është rritur nga xhaxhai, pra vëllai i babait të tij biologjik.

Ndërsa kanë qenë në qendër të fshatit, në një lokal në pronësi të Gramoz Kurtaj, ka mbërritur për t’u sqaruar babai i njërit prej fëmijëve që ishin grindur, 49-vjeçari Altin Kuka.

Edhe autori, sipas të njëjtit banor është rritur nga familja e motrës së mamasë së tij.

“Nuk e dimë si ka qenë momenti, kishin marrëdhënie shoqërore. Viktimat ishin vëllezër, por njëri nga këta ishte i adoptuar te xhaxhai, vëllezër ishin. Edhe autori është i adoptuar, baxhanaku e ka marrë të vogël e ka rritur këtu”, thotë ai.

Ndërkohë edhe banorët e tjerë pohojnë se viktima dhe autori njiheshin me njëri tjetrin dhe qëndronin bashkë, apo konsumonin kafe.

“E mora vesh në televizor, i kemi shokë. Viktimat ishin vëllezër, çuna të mirë.Edhe autori nga fshati është, aty matanë e ka shtëpinë. S’na ka ndodhur ndonjëherë këto gjëra, edhe një pulë kur vritet të dhëmb, jo më dy vëllezër”, tha banori.

“Ky veprim nuk e justifikon arsyen, para një jave kemi qenë bashkë. U erdhi vëllai këtyre dy viktimave nga Amerika, aty rrinin. Një fshat që është shpëlarë nga të gjitha traditat që ka patur”, tregon një tjetër.

Sipas dëshmive në vendngjarje, sherri ka arritur në sharje dhe përleshje fizike midis dy vëllezërve dhe autorit, që dyshohet se nuk ka qenë i vetëm. Ndërkohë, 49-vjeçari, i cili kishte dhe automjetin pranë, ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar drejt dy vëllezërve, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetri në spitalin rajonal të Fierit.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë Fier, ku ka dorëzuar dhe armën e krimit. Ndërkohë, në fshatin Kurjan kanë mbërritur dhjetëra forca policie për të arrestuar edhe bashkëpunëtorët e mundshëm të autorit,si dhe për zbardhjen e shkaqeve,dhe për të shmangur një konflikt të mundshëm midis dy fiseve.

Për banorët e fshatit, kjo është një ngjarje ku shkaku nuk justifikon veprimin, ndaj dhe janë të tronditur, pasi ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur kurrë në këtë fshat. Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, në një lokal në hyrje të qytetit të Roskovecit, një i mitur 15-vjeçar ka plagosur rëndë me thikë një 39-vjeçar për shkaqe fare banale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA