Ministri i Brendshëm, Xhelal Zveçla, njofton hapjen e dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarja dhe Bërnjaku, të cilat që dje ishin të bllokuara për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Për më shumë se dymbëdhjetë orë dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Mërdarë u mbyllën për qarkullim. Që nga ora 18:00 e mbrëmjes së të premtes, qytetarët serbë në territorin e Serbisë, kishin bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitarë me Kosovën.
Për shkak se serbët nuk lejuan të qarkullojnë udhëtarët me dokumente identifikimi dhe vetura me targa të lëshuara nga autoritetet e Kosovës, institucionet në vend kanë mbyllur për qarkullim pikën kufitare të Mërdarës dhe Bërnjakut.
Të gjithë udhëtarët që u nisën të hyjnë brenda territorit të Serbisë përmes pikës kufitare të Merdarës, u kthyen prapa pas njoftimit që merrnin nga zyrtarët policor në këtë pikë kalimi.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë së shtunës u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. “Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkroi Gërvalla.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke thënë që bllokadat tregojnë afërsinë e shtetit serbë me bandat kriminale, shtoi se Serbia nuk do fqinjësi të mirë.
Bllokimi i rrugëve pranë pikave kufitare në Serbi, vjen pasi më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë komuna paralele që vepronin ilegalisht në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.
Top Channel