Shpresat mundin Zvicrën/ Kombëtarja kuqezi fiton 2-1 në transfertë, Pajaziti e Lilo protagonistë

06/09/2024 22:45

Kombëtarja shqiptare e U21 merr një fitore të rëndësishme në transfertë në kualifikueset e Euro 2025.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi iu imponuan Zvicrës duke e mundur në fushën e kësaj të fundit 2-1 ku protagonistë u bënë Adrion Pajaziti dhe portieri Lilo.

Zvicra priti vetëm 16 minuta për të marrë avantazhin në këtë ndeshje teksa shënoi golin e avantazhit me anë të Franck Surdez.

Por festa e 21-vjeçarëve helvetë nuk zgjati shumë pasi Kombëtarja jonë reagoi dhe pas 2 minutash barazoi rezultatin në 1-1 me golin e Adrian Pajazitit, pas një aksioni vërtet të bukur dhe festa ishte e gjitha për të besuarit e Alban Bushit. Skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1.

Në pjesën e dytë Pajaziti u bë sërisht protagonist për Kombëtaren U21 teksa në minutën e 69 shënoi një gol spektakolar me një gjuajtje nga distanca duke bërë që skuadra jonë përfaqësuese të përmbysë rezultatin duke marrë avantazhin 2-1.

Në minutën e 85 Zvicra pati  shansin e artë për të barazuar rezultatin me Nikolas Muçin, por portieri Lilo u shndërrua në heroin e kuqezinjve teksa priti penalltinë e tij duke ruajtur këtë fitore të rëndësishme të skuadrës sonë përfaqësuese.

Me këtë sukses Kombëtarja U21 shkon në kuotën e 13 pikëve në vendin e katërt, po aq sa edhe Finlanda në të tretin dhe 3 më pak se Rumania kryesuese, por kuqezinjtë e vegjël kanë 2 ndeshje më shumë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA