I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin ka bërë të ditur se janë dakorduar për takimin e radhës në Bruksel po nuk ka njoftuar datën se kur do t’i presa palët.
Megjithatë, tha se kanë diskutuar për agjendën. Mes tjerash njoftoi se u diskutua edhe për hapjen e Urës së Ibrit.
“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-ës është i mirënjohur, duhet të hapet por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, tha Lajçak.
Tutje ai bëri të ditur se Serbia ka tërhequr letrën e ish-kryeministres Ana Brnabiq, përmes së cilës Serbia tërhiqej nga Marrëveshja e Brukselit.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.
Për bllokadat e paralajmëruara sot, Lajçak tha se shpreson të mos ketë pasi s’ka arsye për bllokim të pikave kufitare.
Top Channel