Finlanda është e gatshme t’i ofrojë Kosovës të gjithë mbështetjen e saj për integrimin euroatlantik dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ministrja e jashtme finlandeze, Elina Valtonen përcolli këtë mesazh në Prishtinë ku zhvilloi takime me presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe homologen Donika Gërvalla.
“Finlanda dhe Kosova kanë një lidhje të fortë. Stabiliteti në rajon është kyç. Ne e kemi prioritet dialogun Beograd-Prishtinë”, u shpreh shefja e diplomacisë finlandeze.
“Diskutuam për dialogun e Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të palëve. Finlanda është përkrahëse në kuadër të KFOR-it si dhe me veprimet në kuadër të EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Vendi ynë është pajtuar me marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve dhe jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që është e mundur që të mbështesim Kosovën në këtë rrugë”, tha ministrja Valtonen.
Gërvalla sqaroi se temë e diskutimeve mes tyre ishte dhe situata në veri e hapja e urës së Ibrit. Ndër temat e tjera të diskutimit ka qenë dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, përfshirë fushën e tregtisë.
Top Channel