Një 63-vjeçar është vënë në pranga, pasi u konfliktua fizikisht me një 52-vjeçar.
Arsyeja e këtij konflikti dyshohet se është konkurrenca mes tyre. Autori mbante pa leje armë zjarri e municion luftarak, të cilat u sekuestruan.
“Rreth orës 11:15, në lagjen “Vojo Kushi”, shtetasi C. S., 63 vjeç, dyshohet se për motive konkurrence, para stacionit të furgonave për transport pasagjerësh është konfliktuar fizikisht me shtetasin D. Gj., 52 vjeç. Si pasojë 52-vjeçari është dëmtuar fizikisht dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendin ku po ndodhte konflikti duke ndërhyrë dhe parandaluar përshkallzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së shtetasit C. S, kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat 63 vjeçari i mbante pa leje.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit C. S”, njofton policia.
Top Channel