Pallatet e reja brenda vitit, Veliaj: Po punojmë me shpejtësi për bllokun e banimit në lagjen “5 Maji”

05/09/2024 14:50

Banorët e prekur nga tërmeti në Kombinat dhe lagjen “5 Maji” do të futen në shtëpitë e reja brenda vitit.

Në inspektimin e punimeve për pallatet e reja në Kombinat, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tashmë puna është afër fundit.

“Po punohet dhe jemi afër fundit. Për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin, i cili do të organizohet njësoj si me shtëpitë te “5 Maji”. Pra, fëmijët e familjeve zgjedhin me short apartamentin ku do të banojë. Të ketë kismetin dhe sipas riskut që i takon.

Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin dhe “5 Majin”. Në të gjitha ato rastet ku nuk kemi procese gjyqësore, bllokime të pronës, ku nuk na del një gjyqtar në ikje e sipër nga vetting-u që të bëjë atë golin e fundit për të na bllokuar punimet këtu a në varreza, a në një çerdhe, a diku tjetër, ne do të vazhdojmë”, tha Veliaj.

Veliaj ka  një përgjigje  për forcat politike që janë përpjekur ndër vite të bllokojnë procesin.

“I falenderoj me zemër të gjithë qytetarët që kanë pasur besim. Forcat politike që u munduan ta shfrytëzonin fatkeqësinë e tërmetit për të na bllokuar, për të na sabotuar, për stërkëmbësha, do të zhgënjehen rëndë. Në finale, njerëzit do të futen në shtëpinë e tyre, një shtëpi shumë herë më e mirë se shtëpia që lane pas.

Një shtëpi që është shumë herë më e fortë. Me të mbaruar kolaudimin, ne ia çojmë ministrisë. Me t’i marrë prapë nga qeveria me VKM, ne hedhim shortin dhe pastaj, secila familje merr kohën e vet për të bërë arredimet. Nuk do të mbyllet ky vit pa e mbyllur gjithë historinë e tërmetit, sigurisht për ata që janë nevojtarë, për ata që u takon”, tha ai.

 Veliaj u ndal edhe te projektet e ardhshme të bashkisë, duke përmendur rehabilitimin e lumit të Lanës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA