“Hyjnë mallrat serbe”/ Kultivuesit e drithërave presin humbje! Në Seman, prodhimi është i bollshëm, por çmimi i shitjes është shumë i ulët

05/09/2024 12:31

Mungesa e pikave të grumbullimit dhe magazinimit, si dhe importi i misrit nga vendet fqinje, kanë vënë në vështirësi kultivuesit e drithërave në disa fshatra.

Fermerët e Semanit edhe këtë vit presin prodhim të mirë nga të mbjellat me misër, por problemi mbetet çmimi i tregut.

Gentian Sollaku, një nga kultivuesit më të mëdhenj të drithërave në këtë zonë, punon një sipërfaqe prej 50 hektarësh, ku kultivon kryesisht misër, grurë dhe elb, duke arritur një prodhim mbi dy mijë kuintalë. Ai tregon se, edhe pse prodhimi i misrit është i mbarë, fermerët e zonës nuk janë të kënaqur, pasi çmimi i shitjes nuk arrin të përballojë koston e prodhimit.

“Problemi më i madh është te tregu, hyjnë mallrat serbe që andej me një kosto shumë të ulët. Çmimi sot është qesharak, nuk kemi nxjerrim dot as shpenzimet“, thotë fermeri.

Përballë këtij fakti, fermerët janë detyruar ta mbajnë drithin stok dhe, për të mos e hedhur, e kanë përdorur si ushqim për bagëtinë. Një situatë e tillë i bën fermerët e Semanit të hezitojnë dhe të mendojnë nëse do të mbjellin sërish drithëra. Ndaj, thirrja e tyre shkon për shtetin, në një moment kur korrja e misrit sapo ka nisur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA