Reformë në skemën e pensioneve! Ministri i Financave: Skemë më e mirë që siguron pensione më të larta

04/09/2024 15:12

Në konferencën e parë si ministër i Financave, Petrit Malaj njoftoi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, çështje të cilën e konsideron si sfidë personale.

“Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.

Tjetër sfidë për ministrin e ri është përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi i kujdesshëm i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Kreu i financave foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa theksoi se parashikohet ulje e nivelit të borxhit.

“Deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %. Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sektorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft. Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”, u shpreh ministri.

Ministri i Financave iu përgjigj pikëpyetjeve lidhur me fondet e mbledhura nga taksimi i profesioneve te lira, pas vendimit të gjykatës kushtetuese.

“Ne si minsitri e Financave jemi duke përgatitur një kërkesë gjykatës Kushtetuese që do i kërkojmë çfarë do të bëhet me fondet që kemi mbledhur. Derisa të kemi bërë këtë nuk mund të marrim asnjë vendim”.

Një pakete e re e ndihmës ekonomike po diskutohet për këtë vit në ministrinë e Financave, që sikurse njoftoi ministri, nuk do të jetë vetëm për  për pensionistët por për të gjitha kategoritë në nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA