Kreu i ri Grupit Parlamentar Socialist, Niko Peleshi, në një intervistë me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, tregon detaje te reja për iniciativën e qeverisë ku përfshihet parlamenti për shtimin e transparencës dhe komunikimit me qytetarët
Muhamed Veliu: I thatë parlamentit dje se qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicie të re sa i përket transparencës. Për çfarë bëhet fjalë?
Niko Peleshi: Me Kryesinë e grupit, kemi marrë pjesë në një takim të zgjeruar që bëri të dielën qeveria shqiptare, ku ndër të tjera, kryeministri Rama shprehu vullnetin dhe ambicien për të ngritur në një nivel tjetër transparencën e qeverisë, të institucioneve dhe agjencive të saj.
Me dy fjalë, kemi një ligj të mirë për të drejtën e informimit publik, por nga ligji deri te zbatimi ka nevojë për përmirësim. Sepse sot, opinioni publik, gazetarët, të gjithë të interesuarit janë mësuar ta kenë informacionin në kohë reale, edhe për shkak të teknologjisë, kanë smartfonin në dorë, ndërkohë që ligji i informimit publik ka afatet e veta. Nga ana tjera, platforma e komunikimit me informacionin, aksesi për informacionin të gjerë, është disi i dalë kohe. Të presësh afatet që i dimë, që nuk janë të ekzagjeruara, por stonojnë. Qeveria synon të rindërtojë një kullë informacioni, ku aksesi është në kohë reale. Një Open Data për gjithçka që ndodh, në mënyrë që të aksesohen në kohë reale. Kjo ndihmon edhe në përfshirjen e publikut me një vendimmarrje në kohë reale. Besoj se do ta bëjmë Shqipërinë me qeverisjen më transparente në Ballkanin Perëndimor.
Muhamed Veliu: A do ta përfshini opozitën në këtë iniciativë dhe se si?
Niko Peleshi: Nuk më takon mua të flas në detaje teknike, sepse sikurse e thashë, është një punë që do ta bëjë qeveria, por për të merituar të quhet një reformim i transparencës, do të ketë nevojë edhe për prekje ligjore ose nënligjore. Këtu përfshihet parlamenti, ku është edhe opozita dhe është e mirëpritur. Do të synojmë, edhe unë në cilësinë e re të kryetarit të Grupit Parlamentar, do të synojmë të rrisim bashkëpunimin me opozitën. E vështirë është, edhe për shkak të kulturës sonë politike, por edhe për shkak të stinës, të sezonit në të cilin jemi. Jemi para zgjedhjeve, fryma apo debati politik ashpërsohet, temperatura rritet dhe nuk është aq e thjeshtë. Do ta kemi derën hapur dhe unë nuk do të lodhem duke kërkuar që të flasim. E para është të flasim, të komunikojmë. Kur ka komunikim, pastaj gjenden edhe fushat ku mund të bashkëpunojmë. Transparenca është nga fushat ku opozita mund të japë kontributin e vetë, sepse edhe i intereson, padyshim.
Nga ana tjetër, edhe qeverisë i intereson më shumë transparencë, ne e kemi vuajtur në disa raste efektin e lajmit të rremë, që sot shpërndahet shumë shpejt. Lajmi i rremë nuk furnizohet vetëm nga debatet tona politike, por mund të presim edhe ndërhyrje të faktorëve të jashtëm. Ndaj, ka edhe një Komision të Posaçëm për Dezinformimin. Mund të them edhe dyshimet e mia për raste konkrete, ku ka pasur motorë digjitalë që kanë sponsorizuar një lajm të rremë, që mund të jenë rikthyer në një trazirë sociale po themi. Edhe në vende më të zhvilluara se ne, si Britania e Madhe, përfundoi në protesta të dhunshme një lajm i stisur dhe i nxitur pastaj nga faktorë të ndryshëm.
Muhamed Veliu: Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të hënën, është folur gjatë pikërisht për këtë çështje, komunikimin. Me çfarë formash dhe mjetesh, do të duhet të komunikojë grupi juaj parlamentar me qytetarët.
Niko Peleshi: Komunikimi bëhet edhe më i rëndësishëm tani që po i afrohemi zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Na duhet të komunikojmë më shumë për ato që kemi bërë dhe natyrisht, përhapur ndonjë tymnajë nga opozita për të fituar debatin politik. Pra, komunikimi është shumë i rëndësishëm. Komunikimin, qeveria e realizon përmes kanaleve të veta, dhe Parlamenti ka rëndësinë e vetë. Tre janë kanalet ku unë e shoh deputetin në komunikimin publik, puna në seancë dhe komisione, si performon grupi parlamentar në seancë dhe komisione. E dyta, komunikimi përmes rrjeteve sociale, që po merr peshë të madhe në komunikimin publik. Dhe komunikimi në elektorat. Në këto tre aspekte, unë do të bëj punën time si kryetar i grupit parlamentar, për ta çuar në një nivel tjetër, për ta përmirësuar dhe për t’i dhënë një dorë përpjekjes së PS-së për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Muhamed Veliu: Pyetja ime e fundit, sa besimplotë jeni se opozita do të zërë vendet që i takon në komisionet e posaçme të drejtuar nga kolegët tuaj Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe?
Niko Peleshi: Duhet pranuar që në politikën tonë ka pak konsensus, pak bashkëpunim dhe shumë antagonizëm apo frymë të ashpër. Por le ta shohim pozitivisht, kemi raste pozitive, kemi histori të vogla dhe jo të vogla suksesi siç është dakordësia për amnistinë penale, vota e diasporës.
Duke ndërtuar mbi këto 2-3 arritje, besoj që mund të arrijmë ta shtrijmë edhe më tej. Në çdo bashkëpunim duhet të fitojnë të dy palët, unë mendoj se fitojnë të dy palët nuk është vetëm opozita e forcë e denigrimit e sulmit ajo që mund të japë kapital elektoral. Është historia e suksesit e PS ajo që vërtetën se vetëm përmes konstruktivitetit dhe gjuhës së vërtetës mund të fitosh.
Kjo është ajo pjesa që mendoj se opozita fiton terren nëse bashkëpunon.
Komisioni i posaçëm për mirëqeverisjen sundimin e ligjit dhe antikorrupsion, duhet të ishte ulur opozita e parë në karrige dhe më pas të bashkoheshim edhe në. Është proces që nuk është vetëm i qeverisë, por është proces që kalon përtej një mandati dhe nëse do të ndodhë, jam besimplotë që do e përmbushim ambicien për tu anëtarësuar në vitin 2030. Këtë do ta gëzojnë të gjithë, fëmijët tanë, demokrati socialisti dhe ai që është indiferent partiak.
Le ta kemi këtë sado që duket pak utopike, ta kemi këtë inspirim në debatin tonë politik. Mund të ecësh në politikë duke parë poshtë por nuk ecën lartë, mund të ecësh deri të kufiri i zgjedhjeve të ardhshme por ecën akoma më mirë nëse e shikon përtej mandatit. Them se do ta gjejmë gjuhën për disa çështje siç e thashë nuk mund ta ftojmë opozitën në një vendimmarrje ku nuk fiton por humbet.
Z. Bardhi ka përmendur në një komunikim disa nisma të opozitës që sipas tij janë lënë në sirtar jam i hapur për çdo nismë që kanë brenda konstrikutivtetin dhe nuk janë provokative. Opozita mund të propozojë heqjen e taksave apo tvsh, por nuk mund ti japë dot vetes atributin e qeverisjes opozita nuk ndodh gjëkundi. Shumë nisma të tjera janë me vlerë të diskutohen dhe unë jam i hapur që t’i jetësoj.
Top Channel