Në Holandë ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e telefonave celularë gjatë orës së mësimit.

Në fillim të vitit, kjo gjë ishte bërë për shkollat e nivelit të mesëm dhe të lartë, por tanimë, aparate të tilla do të ndalohen edhe në shkollat fillore.

Ministria e Kulturës në Hagë vendimin e argumenton, se telefonat mobile u shkëpusin vëmendjen nxënëseve dhe nxënësve, ulin aftësinë e tyre të përqendrimit dhe kanë efekt negativ ndaj rezultateve në mësime.

Telefonat celularë do të lejohen të përdoren në klasë vetëm për qëllime mësimore, si p.sh. për aftësimin e kompetencës mediatike, ose kur nxënësit e kanë të nevojshme përdorimin e celularit për arsye shëndetësore ose për shkak të aftësive të kufizuara. Për zbatimin në praktikë të ndalesës janë përgjegjëse shkollat.

Edhe ndalimi i përdorimit të celularit gjatë pushimit mes orëve të mësimit ka efekt pozitiv. Sipas radios holandeze NOS, në shkollat, ku celularët ndalohet të përdoren edhe gjatë kohës së pushimit, është vënë re aktualisht një përmirësim i ndjeshëm i atmosferës.

“Koha e pushimit në këto shkolla ka nxitur frymën shoqërore, sepse nxënësit bisedojnë më shumë me njeri-tjetrin”, tha studiuesi Loes Pouwels nga Universiteti Radboud.

Lidhur me ndalimin e celularëve në shkolla në Holandë është diskutuar ashpër. Disa ministra kulture fillimisht nuk e merrnin në konsideratë ndalimin e celularit në nivel kombëtar dhe po ashtu drejtoritë e shkollave kërkonin që të vendoseshin rregulla lokale, ndërkohë që shumë prindër vetë u angazhuan që fëmijët e tyre të mos përdornin celularë në shkollat fillore, pikërisht sepse rrjetet sociale krijojnë varësi tek të miturit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA