“Pasi emëroi Hoxhën, Rama u detyrua të bëjë ministrin”/ Rakipllari shpjegon ndryshimet e reja në qeveri: Ministrat teknikë, eksperimente të dështuara

02/09/2024 23:06

Drejtori i Informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, duke folur për emërimet e ministrave të rinj në kabinetin qeverisës, u shpreh se nuk ka asnjë arsye konkrete se përse “kryeministri Edi Rama po bën këto eksperimente”.

Sipas tij, caktimet e drejtorëve teknikë në krye të ministrive kanë rezultuar kryesisht eksperimente të dështuara. Rakipllari përmendi rastin e rëndë në Pogradec, ku u dhunua për vdekje 42-vjeçari Eglantin Proga dhe u shpreh se vetë Rama u detyrua të bëjë ministrin e Brendshëm, në vend të ministrit të sapoemëruar, Ervin Hoxha.

“Megjithë faktin që çdo ditë konsumojmë informacione, nuk mund të them një arsye konkrete se pse kanë ikur këta ministra dhe kanë ardhur të rinjtë, përjashtuar logjikës së përgjithshme se përse Rama po i bën këto eksperimente. Nëse do të marrim Taulant Ballën dhe ministrin e ri, Ervin Hoxha. Balla, për atë një vit që ishte ministër, nuk pati ndonjë problem. Përkundrazi, ishte goxha i motivuar për të pasur sukses, pavarësisht nëse pati apo jo, kjo është një histori tjetër. Ministri i ri është një vartës i tij që merret dhe vihet ministër. Ky ishte drejtor i IKMT-së që u vendos nga Taulant Balla atje. Drejtori i IKMT-së mesa di unë emërohet nga kryeministri, por propozohet nga ministri. Por, që ishte vartës i Taulant Ballës.

Po të shohim ngjarjen në Pogradec, që ishte shumë e rëndë, ishte një moment menaxhimi, jo vetëm i Policisë, por edhe i Ministrisë së Brendshme. Pra, ishte një rast tipik i mungesës së komunikimit, që pastaj eksaloi në shumë çështje të tjera. Në atë moment, ministri i Brendshëm, u detyrua të bëhej vetë Kryeministri, në atë lloj krize. Ministri është person që harton politikat dhe ka komunikimin publik, pra që mban peshën politike të gjësë.

Rama ka bërë eksperimente të dështuara. Ka bënë Genc Cakën ministër të Jashtëm, që bëri disa gafa. U largua, iku. Ka vënë Besa Shahinin ministre të Arsimit, që prapë nuk e dimë ku është sot. Eksperimentet kryesisht me personazhe teknikë, kanë qenë eksperimente të dështuara. Ai prapë insiston dhe e bën. Për mendimin tim, e bën këtë gjë për të krijuar idenë që po ndryshon. Që figura të reja po vijnë, etj. etj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA