Bashkimi Europian e cilëson si prioritet kryesor organizimin e raundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh, edhe pse zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, nuk dha ndonjë datë për një takim të tillë, duke pohuar vetëm se ajo  do të bëhet publike në një kohë të përshtatshme.

“Si zakonisht, takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Përballjet në nivel kryenegociatorësh, zakonisht nuk i lajmëruar paraprakisht në media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që ta kemi sa më parë një takim të kësaj natyre, sepse ka një numër shumë të madh cështjesh për të diskutuar”, tha Stano.

Më herët, i dërguari i Brukselit për dialogun, Mirosllav Lajçak, u shpreh se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur raundin e ri të bisedimeve, por edhe ai u tregua i kursyer në detaje. Gjatë konferencës për shtyp në kryeqytetin belg, Stano u pyet lidhur me mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga Kosova javën e kaluar. Ai përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, që kanë potencialin e përshkallëzimit të tensioneve.

Edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë kritike ndaj veprimi të ekzekutivit të Kosovës në veri. Prishtina zyrtare i mbron vendimet e saj me argumentin se institucionet e mbyllura në veri punonin nën drejtimin e Serbisë, duke e “cenuar kështu kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA