Gaboni në Afrikën perëndimore shënon një vit që prej grushtit të shtetit që largoi presidentin e vjetër Ali Bongo. Në rrugët e kryeqytetit Libreville, disa vendas jepnin opinione pas fundit të sundimit 55-vjeçar të familjes Bongo, si dhe mbi qeverinë aktuale të gjeneralit Brice Oligui Nguema.
“30 gushti është si një ditë çlirimi për Gabonin,” thotë vendasi Alain Serge Moukagni, teksa shton: “Kishin kohë që nuk ndjenim entuziazëm apo liri të tillë.”
Familja Bongo sundonte vendin e pasur me naftë prej vitit 2009 para se të përmbysej nga liderët ushtarakë në 30 gusht 2023, pak pasi u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të radhës.
Tashmë ish-lideri 65-vjeçar jeton në pronën e tij private në Libreville, teksa qeveria thotë se “është i lirë të largohet nga vendit, por me liri të kufizuara”, sipas avokatit francez Francois Zimeray.
Ndërsa bashkëshortja e Bongo, Sylvia, dhe djali i madh, mbahen në burgun qendror me akuza abuzimi e përvetësimesh të jashtëligjshme.
Qeveria e drejtuar gjeneral Brice Oligui Nguema, ka akuzuar anëtarët e familjes Bongo për korrupsion të gjerë dhe manipulim zgjedhjesh,
Gaboni është nga vendet më të pasura në Afrikë, edhe pse një në çdo tre njerëz jeton nën minimumin e varfërisë.
35 vjeçari vendas Oumar Sacko, gjithashtu e konsideronte datën një simbol çlirimi nga sundimi i dinastisë: “Që prej 30 gushtit jam ndjerë më i lirë dhe nuk besoj se jam i vetmi, besoj se shumë njerëz janë të kënaqur me mënyrën sa kanë ndryshuar gjërat deri tani”.
27 vjeçarja Irene Moulacka, shtonte për rrjetin AFP:”30 gushti për mua është dita kur Gaboni iu kthye gabonezëve, prandaj ia vlen të festohet, edhe unë do të vesh bluzën time me flamurin e Gabonit e do te festoj”.
“Kjo qeveria tani ka ardhur në pushtet, të presim ç’do të bëjë. Shikojmë pak progres por është përsëri e vështirë”, tha Irene.
“Pushteti i madh që kishte qeveria e mëparshme nuk është përdorur mirë. Unë mendoj se duhet të ishin dënuar por tani le të mbetet president drejtuesi tranzicionit”, shton e reja.
Joanna Boussamba, zëdhënëse e një grupi të shoqërisë civile tha se ishte e shqetësuar për “mungesën e transparencës së gjykimit të familjes”, duke shtuar se emri ‘Bongo’ është kthyer tashme në një tabu në Gabon.
“Populli gabonez pret drejtësi, që ata të kthejnë paratë që kanë vjedhur prej nesh, që paratë të kthehen në arkat e shtetit, të dënohen e të kryejnë burgun”, tha Boussamba për rrjetin AFP.
“Të gjithë duan drejtësi”, shtonte gazetari 28 vjeçar vendas Ponce Melchior Nomamina, në një zonë të varfër të kryeqytetit.
“Mesa duket ata janë kriminelë. Ata kanë abuzuar me postet e tyre dhe me pasuritë për të cilat përgjigjeshin, duhet të dënohen”, thotë Nomamina për rrjetin AFP.
Top Channel