“Italia, Turqia dhe Greqia, partnerët strategjikë të Shqipërisë”, Rama: Bashkëpunim për të marrë punëtorë nga Indonezia dhe Filipinet

26/08/2024 10:16

Italia, Turqia dhe Greqia janë partnerët strategjikë të Shqipërisë, sipas kryeministrit Edi Rama, i cili rendit më tej vendet mike me vendin tonë dhe ato shtete me të cilat synohet të lidhen ura bashkëpunimi.

“Leximi i të ardhmes me sytë e së shkuarës, nuk na takon. Ne lexojmë të shkuarën me sytë e të ardhmes, kjo është pika kyçe mbi të cilën ngremë ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë, Greqinë. Nga ana tjetër, në aspektin e volumit të tregtisë, ne mund të bëjmë shumë më tepër. Hapësira e BE-së është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tona tregtare, por mos të harrojmë që kemi miq dhe miqësira të mira që i kemi forcuar ndjeshëm dhe duhet të kërkojmë më shumë, në radhë të parë nga vetja me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Azerbajxhani, që janë tre vende që ushqejnë ndjenja miqësore. Edhe me Kuvajtin, që është një mik nga më të vjetrat dhe me Katarin”.

Kryeministri u ndal dhe te bashkëpunimi me Filipinet dhe Indonezinë, nga të cilat Bashkimi Evropian po merr fuqinë punëtore. Kështu, edhe qeveria shqiptare synon të marrë punëtorë nga këto dy shtete. Dyert, tha Rama, do të hapen edhe për shtetet afrikane dhe një ndër qëllimet është që ato të njohin Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.

“Nga ana tjetër, kemi arsye të vazhdojmë me hapjen e dyerve të misioneve të reja, në Indonezi, me të cilën kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial të madh, ashtu sikurse edhe Filipinet. Nëse arrijmë të kultivojmë si duhet raportet, besoj se do të bëjmë kapërcimin e radhës. Edhe në Afrikë jemi të munguar dhe besoj është e drejtë të hapim derën e parë në Kenia, na duhet për shumë arsye, me e thjeshta është për të mbështetur njohjen e Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA