Kapiteni i jahtit luksoz Bayesian që u mbyt pranë Porticello, në brigjet e Siçilisë, javën e kaluar do të përballet me një hetim mbi akuzat e mundshme të vrasjes nga pakujdesia dhe mbytjes së anijes nga pakujdesia, sipas asaj që njoftoi të hënën zyra e prokurorit italian.
James Cutfield, 51 vjeç, ishte kreu i ekuipazhit në bordin e varkës me vela 56 metra, kur ajo u përmbyt nga një stuhi e egër të hënën e kaluar, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë manjatin britanik Mike Lynch dhe vajzën e tij 18-vjeçaren, Hannah.
Kuzhinieri i jahtit Recaldo Thomas gjithashtu ka vdekur në aksident. Viktimat e tjera ishin drejtori i Morgan Stanley International, Jonathan Bloomer, avokati i shquar amerikan Chris Morvillo dhe dy gratë e tyre, Judy Bloomer dhe Neda Morvillo.
Cutfield dhe 14 persona të tjerë i mbijetuan fundosjes, përfshirë gruan e Lynch, Angela Bacares.
Një fenomen i motit i njohur si rrjedhje uji (një nga disa llojet e tornadove) mendohet se ka përmbysur jahtin. Por autoritetet italiane po hetojnë nëse veprimet e ekuipazhit dhe trajtimi i varkës nga ana e tyre kontribuuan në fundosjen vdekjeprurëse.
Cutfield, i lindur në Zelandën e Re, nuk është në paraburgim, sipas prokurorëve italianë, por ai nuk mund të largohet nga vendi ndërkohë që hetimet janë në vazhdim. Ligji detar i jep kapitenit përgjegjësinë e plotë për anijen, ekuipazhin dhe të gjithë në bord.
Të vrarët ka të ngjarë të flinin në kohën e stuhisë, tha një prokuror në fundjavë, kjo është arsyeja pse ata nuk ishin në gjendje të shpëtonin. Të shtunën, prokurori dhe kreu i ekipit të rikuperimit të zjarrfikësve thanë se pesë trupa u gjetën në të njëjtën dhomë të anijes, që mund të ketë nënkuptuar se ata po kërkonin një xhep ajri ndërsa anija u fundos.
Hetuesit paralajmëruan se rrethanat e mbytjes mbeten kryesisht të paqarta, duke përfshirë nëse kishte një kuti të zezë në bordin e anijes dhe nëse disa nga kapakët e anijes ishin lënë të hapura, gjë që do të shpjegonte pse ajo u mbyt kaq shpejt.
Top Channel